Është e qartë se në radhët e Hajvalisë nuk është duke funksionuar asgjë, ndryshe nuk mund të kuptohen rezultatet e dobëta. Në fillim të ndeshjes Hajvalia kishte dy raste të mira të cilat Krasniqi e Guraziu nuk i shndërruan në gola, ndërkohë që në anën e kundërt edhe Livoreka ka dështuar dy herë nga pozita ideale.
Në minutën 33’ Zabërxha asiston për Livorekën, i cili nga afërsia shënon 0:1. Në minutën 40’ rasti i vetëm i kontestuar kur pas harkimit të Doshlakut, topi e preku në dorë Zhdrellën, por gjyqtari Tahiti heshti. Në pjesën e dytë pritej që Hajvalia të këndellet, por kjo nuk ndodhi. Krasniqi (47’) e qëlloi me bërryl Zhdrellën dhe u përjashtua nga loja, ndërkohë që edhe Zhdrella pas pesë minutave ndëshkohet me kartonin e dytë të verdhë dhe braktisë terrenin. Në minutën 68’ pas një kundërsulmi të shpejtë Zabërxha e qëllon tërthorësen, kurse disa minuta më vonë, pas veprimit të Hajdarit, Zabërxha shënon për epërsinë e Hysit 0:2.
Në minutën 84, Zabërxha përsëri në vend të rrjetës qëllon shtyllën, kurse një minutë më pas Hajdari pengohet nga Zogiani dhe gjyqtari tregon pikën e bardhë prej nga Zëbarxha shënon golin e tretë të Hysit 0:3. Kryetrajneri i Hajvalisë Bekim Isufi ishte i zhgënjyer dhe nuk deshi të prononcohej, kurse kryetrajneri i Hysit Fadil Ademi tha: “nuk ka qenë e vështirë që të korrim fitore, e cila na shton vetëbesimi për të vazhduar me paraqitje të mira edhe në ndeshjet tjera”. /Zëri/Telegrafi/