Mirëpo në pyetjen se për çfarë arsye nuk ka filluar deri më tash, ai tha:” Pse a është kjo shumë me rëndësi a, mos po pranohemi në UEFA e FIFA nëse ia nisim përgatitjet ma herët”.
Kjo mbase ishte dëshmi më e mirë se gjërat në këtë skuadër nuk janë duke shkuar si duhet, e për këtë është i ndërgjegjshëm edhe vet drejtori. Në fakt, sipas burimeve të gazetës, përgatitjet do të fillojnë vetëm atëherë kur futbollistët e Hysit do të marrin pagën e mbetur, pasi nga përvoja e kaluar pothuaj të gjithë e kanë të qartë se futbollistët edhe nëse ftohen, nuk do të paraqiten në stërvitje pa u kryer obligimet ndaj tyre.
Për dallim nga drejtori, kryetrajneri i Hysit Fadil Ademi duket shumë më i shqetësuar për faktin se çdo vonesë mund t’i kushtojë shumë kësaj skuadre.
“ Nuk di çka të them, e kishim planifikuar që stërvitjet të nisin me 13 janar, por kjo nuk ndodhi as një javë më pas dhe nuk jam i sigurt se kur do t’i fillojmë. Kur dihet se të gjitha skuadrat e Superligës tashmë kanë filluar përgatitjet, kjo mund në na kushtojë në garat pranverore, pavarësisht se qëndrojmë mirë në tabelë”, thotë Fadil Ademi. Ai shpreson se në rast të përgatitjeve Hysi edhe mund të konkurrojë për titullin e kampionit, por nëse gjërat nuk lëvizin për të mirë, Hysi edhe mund të rrezikohet.
“ Dallimi i pikëve ndërmjet skuadrave nuk është i madh, kështu që ne edhe mund të rrezikohemi, pra çdo gjë varet nga përgatitjet”, shprehet kryetrajneri i Hysit, i cili ka merita më të mëdha që kjo skuadër në vjeshtë u rendit në vendin e tretë, ndonëse në fillim të edicionit të gjithë e shihnin si njërën ndër skuadrat më të rrezikuara.
Sa i përket fondit të lojtarëve, dihet se nga kjo skuadër është larguar Ahmet Haliti, gjithsesi njëri ndër futbollistët më të mirë të kësaj skuadre, ndërkohë që edhe përparim Livoreka ka kërkuar nga Federata e Futbollit e Kosovës që t’ia mundësojë kalimin në një skuadër tjetër.
“ Livoreka ka kontratë me Hysin dhe nuk mund të kaloi askund pa pëlqimin tonë”, tha drejtori i klubit Bashkim Sadiku. Nuk është ende e qartë as mbetja e futbollistit më të mirë në Kosovës, Mentor Zhdrella, për të cilin janë të interesuara veçmas skuadrat nga Shqipëria.
Megjithatë, çdo gjë varet nga drejtuesit e Hysit, të cilët e kanë “në dorë” Zhdrellën dhe pa lejen e tyre ky futbollistë nuk mund ta ndërrojë klubin.
Kur bëhet fjalë për ndonjë përforcim, ende nuk ka asgjë. Në fakt, klubi ka llogaritur në 2-3 futbollistë të skuadrave tjera, por ngecja me përgatitje, ka bërë që ata tashmë të gjejnë skuadra tjera. Në 17 ndeshjet e vjeshtës, Hysi ka shënuar 8 fitore, 4 barazime dhe ka pësuar 5 humbje, duke tubuar 28 pikë aq sa edhe Ferizaj që është në pozitën e dytë. /Zëri/Telegrafi/