Kryetari i Gjilanit, Alban Hyseni, është deklaruar në lidhje me konkursin për teknik të dhëmbëve në njërën nga ambulancat e kësaj komune, konkurs ky i shumëpërfolur për shkak të dyshimeve se ka pasur parregullsi.
Ky konkurs është anuluar dy herë, e në herën e fundit i pari me pikë ka dalë Elion Gagica, i cili është anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje.
Në një konferencë për media të mërkurën, kryetari i Gjilanit teksa ka konfirmuar se Gagicën e ka mik, ka thënë se konkursi është anuluar dy herë për shkak të parregullsive.
“Konkurset janë anuluar për shkak të parregullsive. Konkursi nuk ka përfunduar ende. Ka pasur raste kur prej të tjerëve që kanë qenë pjesë e konkursit, është tregu se komisionet e mëhershme e kanë nxjerrur testin jashtë. Përderisa unë jam kryetar komune, testet nuk dalin jashtë. Dy herë është anuluar për parregullsi. Elion Gagica është mik i imi, është anëtar i Vetëvendosjes. Nëse i shihni rezultatet e tij, ai gjithmonë është i pari ose i dyti”, ka thënë Hyseni.
Lidhur me rastin, Jon Sadiku në një prononcim për Telegrafin ka thënë se në këtë konkurs ka aplikuar dy herë, ndërsa në herën e parë që ka aplikuar ka pasur më së shumti pikë.
Ndërkaq sipas tij, në testin me shkrim pyetjet ishin jashtë asaj se çka konkretisht punohet në ambulancë.
“Konkursi është shpallë tri herë…Herën e parë nuk kam apliku… herën e dytë kam aplikuar dhe kam dal i pari me pikë. Një ditë para se të bëhet intervista me gojë u anulu konkursi. Dhe tash hera e tretë kur jemi fut ka pas pyetje jashtë asaj çka punohet në ambulancë, pasi unë aty punoj që një vit si vullnetar, por pasi kam aplikuar e kam ndërprerë punën pa pagesë.