Telegrafi

Hyseni: Nuk ndryshojmë strategji, njohje do të ketë

Ministri Hyseni në një prononcim për Radion Evropa e Lirë ka shpjeguar se, strategjia e diplomacisë kosovare mund të ndryshojë, vetëm nëse vërehet se nuk ka farë lëvizjeje në drejtim të njohjes. Megjithatë, ai shpreh bindjen se Kosova do të njihet shumë shpejt nga vende të ndryshme, duke mos specifikuar se për cilat vende apo rajone të botës bëhet fjalë.

"E kam përmendur një shifër në një pyetje shumë sugjestive nëse do të ketë më shumë se 70 njohje në këtë vit ose do të kalojë numri 70. Unë prapë po e them se jam i sigurt se do të ketë njohje. Një numër i konsiderueshëm i vendeve do ta njohin Kosovën gjatë pjesës së parë të vitit. Nuk mund të them numra", tha ai/

Deri më tash, Kosova është njohur si shtet i pavarur e sovran nga 53 shtete të botës. Njohës ndërkombëtarë të çështjes së Kosovës konsiderojnë se njohjet e deritanishme të Kosovës si shtet, janë të kënaqshme. Megjithatë, ata mendojnë se përfaqësuesit e Kosovës duhet të vazhdojnë të punojnë me vendet tjera që ende nuk kanë vendosur për njohje. /Telegrafi/