Telegrafi

Hyseni nuk e di se deri kur do të ketë makina pa targa në veri

Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu e ka pyetur ministrin e Punëve të Brendshme, Skender Hyseni, se deri kur në veri të vendit do të qarkullojnë automjetet pa regjistrim.

Në fjalën e saj, Musliu tha se për të, këto automjete paraqesin rrezik për siguri.

Ajo ka thënë së këtë pyetje e ka adresuar madje edhe para se të arrihej marrëveshja në Bruksel.

“Shqetësimi im nuk është te tabelat e vjetra. A do të duhej ky problem të ngritët për liberalizimin e vizave? Kur do të ndalet kjo dukuri, deri kur do të kemi makina pa targa në veri të Kosovës?”, pyeti Musliu.

Në anën tjetër, ministri i Punëve të Brendshme, Skender Hyseni, tha se tashmë ekziston një marrëveshje, e cila pritet të zbatohet.

“Të gjithë kemi arsye të jemi të pakënaqur me dinamikën e zbatimit të marrëveshjeve të arritura në Bruksel. Do të doja shumë ta jap përgjigjen e saktë deri kur do të lëvizin makinat pa regjistrim. Por nuk e kam një përgjigje të saktë. Është proces. Do të doja të ishte aq e lehtë siç perceptohet nga disa, mirëpo unë kam bindjen se nuk është e lehtë. Ajo që di është se MPB po bënë çfarë është e mundur ta shtrij autoritetin në këtë dikaster në veri. Për herë të parë kemi qendra të regjistrimit civil në veri”, ka deklaruar Hyseni.