Anëtari i kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), njëherësh ish-ministër i Punëve të Jashtme, Skender Hyseni, ka hedhur kritika ndaj udhëheqjes aktuale të LDK-së, duke thënë se nuk po di të sillet si parti politike.
Hyseni që ka qenë ndër njerëzit më të afërt të presidentit Rugova, thotë se kryetarët që pasuan Ibrahim Rugovën nuk arritën të gëzojnë autoritetin e duhur, andaj vlerëson se për këtë qëllim po ndodhin problemet brenda këtij subjekti politik.
“Nuk është koha kur kemi pasur një autoritet si Ibrahim Rugova, i cili ka vendos lehtë, pasi që çdokush e ka përfillur dhe e ka dëgjuar. Sot kemi një situatë tjetër dhe ne duhet ta shohim. Prej një lëvizje gjithëpopullore LDK-ja po rrëshqet drejt profilizimit si parti politike dhe këtu e shoh një defekt të vogël te LDK-ja, sepse ende nuk është mësuar që të sillet si parti politike, më shumë si lëvizje si grupacion”, thotë Hyseni, për Ekonomia Online.
Ndërsa për problemet dhe incidentet që e kanë përcjellë LDK-në gjatë procesit të brendshëm zgjedhor, Hyseni thotë se kanë ardhur si rrjedhojë e përshtypjes se kjo parti do të fitojë zgjedhjet.
“Për LDK-në flasin shumë tash, dhe flasin të gjithë dhe kjo është shenjë e mirë në vetvete është tregues që LDK-ja është e rëndësishme për këtë vend është i pazëvendësueshëm edhe si forcë politike edhe si traditë si trashëgimi, ndonjë fenomen që e përcjellë procesin zgjedhorë sidomos në nivel të nëndegëve dhe degëve unë e shoh si rrjedhim i përshtypjes publike që LDK-ja është partia më e fortë në Kosovë më e madhja dhe si reflektim i përshtypjes se LDK-ja si ti fitojë zgjedhjet. Unë besoj që do t’i fitojë zgjedhjet e ardhshme, prandaj ka një turr njerëzit me çdo kusht të bëhen pjesë e strukturave”, thotë ai.
Por ai këtë e sheh si një entuziazëm të tepruar, i cili nuk do ta dëmtojë LDK-në.
Hyseni nuk ka dashur të përmend emra se kush do duhet të jetë kryetar i ardhshëm i LDK-së.
Nuk e përjashton mundësinë e një marrëveshje paraprake për zgjedhjen e kryetarit, kryesisë dhe këshillit të përgjithshëm.
“Do ta dimë atë ditë kush janë kush është apo kush janë varësisht nga veprimet paraprake që do të bëhen nuk përjashtoj mundësinë e ndonjë marrëveshje paraprake, konsensuale për të ndërtuar struktura të qëndrueshme udhëheqëse të partisë, edhe kryetari edhe kryesia edhe këshilli i përgjithshëm”, tha ai.