Telegrafi

Hyseni: Kosova nuk dëshiron kurrfarë bisedimesh pas 10 dhjetorit

“Fatkeqësisht, derisa delegacioni i Kosovës ka vazhduar ta paraqes vizionin për ardhmëri dhe partneritet të të dyja vendeve, i cili do t’u mundësonte dy vendeve rrugën kah integrimet euro dhe euroatlantik, delegacioni serb ka vazhduar të ofrojë vizione dhe modele të cilat janë burim i konflikteve të ngrira, përkatësisht të gjysmë-zgjidhjeve”, ka thënë Hyseni.

Duke folur për vazhdimin e bisedimeve, në ditën e dytë të raundit përfundimtar të negociatave me Serbinë, Skënderi ka shprehur besimin se “asgjë spektakulare nuk do të ndodhë”.

Hyseni e ka akuzuar Beogradin se nuk dashuron ta pranojë realitetin, që ta pranojë se Kosova “de facto” është e pavarur dhe se pret vetëm njohjen formale.
“Presim që Treshja ndërmjetësuese, deri më 10 dhjetor, t’i raportojë Sekretarit të Përgjithshëm të KB-së dhe se në këtë raport ta identifikojë qartë konstruktivitetin dhe largpamësinë e delegacionit të Kosovës, gjatë 120 ditëve të angazhimit shtesë”, ka shtuar Hyseni.

Më tej, Hyseni ka thënë se, edhe pas 10 dhjetorit, Kosova “do të mbetet e hapur dhe konstruktive dhe, me bashkësinë ndërkombëtare, do të bisedojë për hapat e mëtejmë”.

Ndërkohë, i ashtuquajturi ministër për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Sllobodan
Samarxhiq, ka thënë se propozimi i Beogradit për autonomi substanciale hedh poshtë akuzat e palës kosovare se Serbia dëshiron ta kthejë statusin që Kosova e ka pasur deri më 1999.

“Është e qarte se janë të pabaza deklarimet e shqiptarëve të Kosovës se Beogradi dëshiron të vë kontroll politik mbi ta duke kthyer statusin të cilin Serbia e ka pasur në Kosovë, para vitit 1999”, ka thënë Samarxhiq.