Site icon Telegrafi

Hyseni: Kosova i ka votat për INTERPOL, Haradinaj gaboi

Ish-ministri i Punëve të Brendshme, Skender Hyseni, ka thënë se ndihet i shqetësuar që kryeministri Ramush Haradinaj ka marrë vendim që të shtyjë votimin për anëtarësim në INTERPOL.

Sipas tij, ky veprim i kreut të ekzekutivit ishte hipotetik dhe tej mase i pakalkuluar. Hyseni shpreht i bindur se Kosova i ka votat për anëtarësim në këtë organizatë, raporton Ekonomia Online.

“Nuk e di se me çfarë premisash ka ardhur Haradinaj se Kosova nuk i ka votat, do të doja ta di. Nuk ka një analizë të hollësishme se Kosova nuk i ka votat. Unë si ish-ministër e di se Kosova i ka pasur votat për anëtarësim”, tha Hyseni.

Por ish-ministri thotë se për Kosovën mund të votohet edhe pse Haradinaj ka bërë kërkesë për shtyrje të votimit.

“Haradinaj e ka adresuar gabimisht kërkesën për shtyrje të votimit, këtë ndryshim mund ta bëjë vetëm Asambleja e Përgjithshme. Kërkesa e Haradinaj shpresoj të mos merret parasysh dhe asambleja të vazhdoj me rend dite”.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka marrë vendim që të shtyjë votimin e Kosovës në INTERPOL

Haradinaj u ka bërë thirrje diplomatëve që në takimin e radhës të punojmë më shumë në mënyrë që Kosova të votohet anëtare e INTERPOL-it.

Kosova kishte aplikuar për anëtarësim në INTERPOL edhe në prill të vitit 2015, por vitin e kaluar kjo organizatë kishte suspenduar aplikacionin e Kosovës për anëtarësim në këtë organizatë ndërkombëtare.
Ndërsa më 26 deri 29 shtator do t’i zhvilloj punimet Asambleja e përgjithshme e INTERPOL-it në Pekin të Kinës.

Votimi për Kosovën ishte paraparë të ndodhte më 26 shtator. Dy të tretat e votave i nevojiten Kosovës për anëtarësim në këtë organizatë të sigurisë.

Exit mobile version