Telegrafi

Hyseni: Kosova avancon statusin në NATO, pavarësisht përpjekjeve të Serbisë për ta ndaluar

Asambleja Parlamentare e NATO-s, ka votuar sot pro avancimit të statusit të Kosovës në këtë organizatë.

Lidhur me këtë vendim pozitiv për Kosovën, ka reaguar edhe deputeti Driton Hyseni, i cili njëherit është edhe kryesues i delegacionit kosovar në Asamblenë Parlamentare të NATO-s.

Hyseni në një postim në Facebook ka shkruar se nga sot Kuvendi i Republikës së Kosovës ka statusin e anëtarit të asociuar në Asamblenë Parlamentare të NATO-s.

Lexo po ashtu Asambleja e NATO-s voton pro avanicimit të statusit të Kosovës

“Avancimi i statusit vjen pas disa viteve të bashkëpunimit të shkëlqyeshëm mes Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe Asamblesë Parlamentare të NATO-s. Nga qershori i vitit 2014, ne përfaqësoheshim si delegacion vëzhgues”, ka shkruar Hyseni.

Ai ka shtuar se pavarësisht përpjekjeve të delegacionit të Serbisë ata nuk ia dolën ta ndalin Kosovën.

“Letrat e shumta e përpjekjet e vazhdueshme të delegacionit të Serbisë por edhe të akterëve tjerë politik në Beograd nuk ja dolën të ndalin Kosovën drejt avancimit të statusit. Ju përcjell urimet më të përzemërta nga Sofje e Bullgarisë. I priftë e mbara Kosovës tonë!”, ka shkruar Hyseni. /Telegrafi/