Site icon Telegrafi

Hyseni: Kemi përkrahje të fuqishme për anëtarësim në INTERPOL (Video)

Në Asamblenë e Përgjithshme të INTERPOL-it që mbahet në fund të këtij muaji  në Pekin do të votohet rreth kërkesës së Kosovës për anëtarësim në këtë organizatë.

Pas vendimit të Komitetit Ekzekutiv të INTERPOLIT që kërkesa e Kosovës për anëtarësim në këtë organizëm ndërkombëtar policor të hyjë në agjendën e Asamblesë së Përgjithshme të INTERPOLIT që do të mbahet prej 26 deri më 29 shtator në Pekin, ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Skënder Hyseni, ka zhvilluar një vizitë në ShBA me qëllim të intensifikimit të lobimit për përkrahjen e kërkesës së Kosovës.

Pas takimeve të shumta, ministri Hyseni në një intervistë për RTV 21 në Nju Jork është shprehur optimist për përpjekjet për anëtarësim në INTERPOL.

“Për anëtarësimin e Kosovës në INTERPOL Kosova duhet të sigurojë 2/3 e votave të pjesëmarrësve në Asamblenë e Përgjithshme. Besoj se do të ia dalim të sigurojmë votat e nevojshme dhe ne do të bëjmë çdo gjë që t’ia dalim”, tha Hyseni.

Ai tha se ka një përkrahje të fuqishme për anëtarësimin e Kosovës në INTERPOL.

“Edhe te vendet që nuk e kanë njohur Kosovën ekziston disponimi që ta votojnë anëtarësimin e Kosovës në këtë mekanizëm ndërkombëtar të sigurisë”, tha ai

Të mërkurën, ndërkaq, Qeveria e Kosovës ka miratuar nismën për anëtarësimin e Kosovës në Organizatën Ndërkombëtare të Policisë Kriminale – INTERPOL.

Në mbledhjen e Qeverisë, zëvendësministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Behar Selimi, tha se anëtarësimi në këtë organizatë ndërkombëtare ofron mundësi të mëdha të bashkëpunimit.

Exit mobile version