Site icon Telegrafi

Hyseni jep detaje rreth aplikacionit dhe votimit për anëtarësimin e Kosovës në Interpol

Ministri në largim i Punëve të Brendshme, Skender Hyseni, ka njoftuar në FB se sot ka pranuar një letër nga Sekretari i Përgjithshëm i INTERPOL-it, Jurgen Stock, lidhur me aplikimin për antarësimin e Kosovës në këtë organizatë. Aty thuhet se kërkesa e Kosovës për antarësim në Interpol do të përfshihet në agjendën e Asamblesë së Përgjithshme të 86-të, e cila do të mbahet në muajin shtator, në Pekin të Kinës.

Pas aprovimit të disa udhëzimeve pritet votimi i aplikacioneve për anëtarësim, përfshi këtu edhe atë të Kosovës.

“Jam i lumtur të ju njoftoj se Komiteti Ekzekutiv i INTERPOL-it në takimin e fundit në Lyon të Francës, mbajtur nga 31 maj – 2 qershor 2017 ka vendosur që kërksën për anëtarësim në INTERPOL të Republikës së Kosovës ta përfshijë në agjendën e Asamblesë së Përgjithshme të 86-të e cila do të mbahet në Pekin të Kinës nga 26-29 shtator 2017”, thuhet midis tjerash në letrën e Sekretarit të Përgjithshëm Jurgen Stock, të cilën e pranova sot,shkruan Hyseni në Facebook.

“Në këtë letër, Sekretari Stock poashtu më ka njoftuar se këshilltari ndërkombëtar Hans Corell, i cili ishte emëruar për të udhëhequr një studim rreth procesit të anëtarësimit në INTERPOL, kishte finalizuar punën e tij dhe tashmë raportin ia ka dorëzuar Komitetit Ekzekutiv. Bazuar në këtë raport, Komiteti Ekzekutiv do t’i paraqesë Asamblesë së Përgjithshme për aprovim një kornizë të udhëzimeve për procesin e anëtarësimit. Pas aprovimit të këtyre udhëzimeve pritet votimi i aplikacioneve për anëtarësim, përfshi këtu edhe atë të Kosovës”- shkruan Tutje Hyseni.
Hyseni ka thënë se ky është një lajm i mirë për vendin tonë, kurorëzim i një pune të madhe të bërë gjatë dy viteve të kaluara nga ministria që ka drejtuar ai.

“Dua t’u shpreh një mirënjohje të veçantë të gjitha atyre që më përkrahën dhe që, përkundër skeptikëve të shumtë, besuan se antarësimi i Kosovës në INTERPOL është i mundshëm”- përfundon Hyseni.

Exit mobile version