Site icon Telegrafi

Hyseni e lëshon demostrativisht konferencën në Bratislavë

Ministri i Punëve të Brendshme, Skender Hyseni i cili me ftesë të Robert Kalinak, zëvendëskryeministër dhe ministër i Punëve të Brendshme të Republikës Sllovake, aktualisht kryesues i Këshillit të Bashkimit Evropian, kishte udhëtuar për në Bratislavë, për të marrë pjesë në Konferencën e tretë Ministrore të Procesit të Pragës, ka lëshuar tubimin në shenjë proteste me de nominimin që i është vendosur Kosovës (Kosovo/UNSCR 1244/1999).

Ky de nominim është i papranueshëm ka theksuar ministri Hyseni, duke shtuar se nëse i bëhet çfarëdo reference Rezolutës 1244 , duhet t’i bëhet referencë e qartë edhe mendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për Pavarësinë e Kosovës, në pajtim me marrëveshjen e arritur në Bruksel, pra në pajtim me fusnotën e cila është aplikuar edhe në MSA të nënshkruar midis Kosovës dhe BE-së.

Ministri Hyseni po ashtu theksoi se vetëm muaj më parë, ai kishte nënshkruar me FRONTEX-in marrëveshje bashkëpunimi me atë denominim që ishte dakorduar edhe Brukseli, ku i bëhet referencë e qartë edhe mendimit të GJND-se.

Kjo konferencë si dhe vet Procesi i Pragës si i tillë synon të forcoj edhe me shumë partneritetin midis vendeve pjesëmarrëse në fushën e migrimit të paligjshëm.

Ministri Hyseni ka theksuar në fund se Republika e Kosovës do të kthehet në këtë nismë posa të bëhen korrigjimet e nevojshme në pajtim me marrëveshjen e Brukselit për përfaqësimin e Kosovës. /Telegrafi/

Exit mobile version