Site icon Telegrafi

Hysaj në formacionin ideal për të rinj të Serie A nga UEFA

Elseid Hysaj në Formacionin Ideal të UEFA-s për të rinjtë në Serinë A.

Vlerësimi për mbrojtësin shqiptar që shkëlqeu gjatë këtij sezoni me Napolin erdhi nga redaksia italiane e “UEFA.com”.

Me mbylljen e kampionatit, u përzgjodhën 11 lojtarët më të mirë deri në moshën 22-vjeç. Elementë që u shndërruan në protagonistë gjatë sezonit 2015/16.

Duke nisur nga porta, ku Gianluigi Donnarumma u shndërrua në titullar të padiskutueshëm te Milani, prej debutimit në moshën 16 vjeç e tetë muaj.

Elseid Hysaj u rreshtua në krahun e djathtë të mbrojtjes, ku pas shpërthimit me Empolin një vit më parë, tashmë u ngrit në nivelin e yjeve evropianë te Napoli i Maurizio Sarri.

Faqja zyrtare e UEFA-s theksonte se napolatanët e mbyllën Serinë A në vendin e dytë falë sulmit të jashtëzakonshëm, por mbrojtja dha mjaft garanci dhe një prej protagonistëve ishte mbrojtësi kuqezi, i cili humbi vetëm një nga 36 javët e kampionatit.

Shqiptari rreshtohej në mbrojtje përkrah Romagnolit të Milanit, Ruganit të Juventusit dhe Masinas të Bolognas.

Në formacionin më të mirë spikasnin edhe Bernardeschi i Fiorentinës në mesfushë, sulmuesi i Sassuolos, Berardi apo debutuesi i Torinos, Belotti.

Për Hysajn, përfshirja në skuadrën ideale të Serisë A për të rinjtë, duket vetëm vlerësimi i parë për një sezon fantastik, pasi lojtari i lindur në Shkodër është cilësuar gjerësisht gjatë gjithë sezonit si mbrojtësi më i mirë i djathtë i Serisë A italiane.

Exit mobile version