Mbrojtësi i Lazios, Elseid Hysaj, thotë se skuadra e tij është e fokusuar vetëm në ndeshjen e ardhshme kundër Torinos.
Në kryeqytetin italian tashmë po flitet për sfidën e të dielës – Derby della Capitale, ndërmjet Bianconcelestëve dhe Romës.
Lazio e nisi mirë sezonin me dy fitore, ndaj Empolit dhe Spezias, mirëpo ka pasur probleme në javët e fundit duke zhvilluar tri ndeshje pa fitore, përfshirë edhe humbjen nga Galatasaray në Ligën e Evropës.
Futbollisti shqiptar ka thënë se përvoja i ka bërë që t’i marrin ndeshjen një nga një, sepse janë të vështira.
“Nuk jemi duke menduar për derbin, e kemi parë se të gjitha ndeshjet janë të vështira. Shikojeni Spezian, Cagliarin dhe Galatasarayn. Duhet të jemi të kujdesshëm dhe të fokusohemi në sfidën e radhës”, ka thënë Hysaj. /Telegrafi/