Telegrafi

Hyrjet e vizitorëve të huaj në Shqipëri rriten me rreth 20 për qind në korrik

Qyteti i Sarandës

Shqipëria tërhoqi 1.4 milionë vizitorë të huaj në korrik, krahasuar me 1.16 milionë që vizituan vendin në të njëjtin muaj të vitit të kaluar, sipas statistikave të Institutit të Statistikave INSTAT të publikuara të premten.

Numri i vizitorëve të huaj në vend arriti në 4 milionë gjatë shtatë muajve të parë të këtij viti, ose 39 për qind më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Vetëm në korrik, numri i vizitorëve vendas u rrit në 607,708 nga 488,001 në korrik të vitit 2021.

Në përgjithësi, numri i përgjithshëm i vizitorëve vendas dhe të huaj arriti në 2 milionë në korrik, krahasuar me 1.6 milionë në të njëjtin muaj në 2021.

Për herë të parë që nga fillimi i publikimit të lëvizjeve të shtetasve, INSTAT nuk ka dhënë tabelën e hyrjeve sipas shteteve. Ndërkohë, nga qershori nuk regjistrohen as hyrjet e shtetasve të Kosovës që vijnë me pushime, pas një vendimi të përbashkët të dy qeverive për të lehtësuar lëvizjen e turistëve në verë.

INSTAT nuk ka sqaruar në publikim se si i llogarit tashmë hyrjet e shtetasve nga Kosova, që normalisht zinin 33 për qind të totalit.

Në vitin 2021, numri total i shtetasve të huaj që vizituan Shqipërinë u rrit me 114 për qind nga viti në vit, duke arritur në 5.7 milionë. /Telegrafi/