Telegrafi

Hyrjen e PTK-së në Shqipëri pritet ta votojë parlamenti

Në tenderin për celularin e katër u paraqitën dy oferta, ajo e Postës së Kosovës dhe ajo e “Universal PG”, me vlerë 5 milionë euro.

Kompania e dytë nuk i plotësoi kushtet, kështu që në tender ngeli vetëm një ofertë. Kjo është arsyeja që qeveria e lë në dorë të Kuvendit miratimin e ofertës së vetme apo shtyrjen e tenderit.

Sidoqoftë qeveria ka dhënë disa arsye pse kontrata duhet të miratohet.

Arsyeja e parë është vlera, e cila është 45% më e lartë se oferta tjetër.

Nga ana tjetër, qeveria nënvizon se kushtet aktuale të krizës botërore e bëjnë të vështirë deri të pamundur gjetjen e një oferte tjetër nga investitorë të huaj.

“Kriza që preku ekonominë botërore gjatë vitit të kaluar do të vijojë efektet në ekonominë botërore edhe gjatë këtij viti. Për pasojë në kushtet kur bizneset po përshtatin orientimet e tyre dhe institucionet financiare po forcojnë politikat e tyre financuese, vendi nuk mund të presë një rritje fluksi investitorësh strategjikë të interesuar për këtë shërbim në një treg modest si Shqipëria, me gjithë masat dhe instrumentet që autoritetet shtetërore vendase mund të ndërmarrin për këtë çështje, përfshi uljen e çmimit nën kufirin e 5 milionë euro”.

Arsye tjetër është koha.

Sipas qeverisë, në ekonomi vonesat shkaktojnë gjithnjë humbje. Në këtë rast buxheti humb paratë e shitjes, ekonomia një investim të huaj dhe qytetarët konkurrencën në tregun e celularëve dhe, si rrjedhojë, uljen e çmimeve dhe shtimin e shërbimeve.

Qeveria parashikon që një investim i tillë do të hapë edhe vende pune, kryesisht për inxhinierët. Nga ana tjetër, fakti që në treg do të ketë edhe një kompani tjetër, atëherë edhe konkurrenca do të jetë më e fortë. Sipas kontratës, konsorciumi do të duhet që brenda vitit të parë të punës të arrijë një mbulim prej 81% të territorit dhe 95 për qind të popullsisë. Në vitin e dytë 83 për qind të territorit dhe në vitin e tretë 85 për qind. /panorama/