Mundësia e fundit për zgjidhjen e krizës politike përmes ndërhyrjes së ndërkombëtarëve do të jetë sot me vizitën e Zëvendës/ Ndihmës Sekretarin e Shtetit Amerikan, Hoyt Brian Yee. Yee do të vijë në Tiranë rreth orës 10:00 dhe do të takohet me tre liderët kryesorë në vend, Edi Ramën, Lulzim Bashën dhe Ilir Metën.
Ora News mësoi se Yee do të ketë një takim edhe me zërat kritikë brenda Partisë Demokratike, deputetët Astrit Patozi, Jozefina Topalli dhe Majlinda Bregu.
Zëvendësndihmës Sekretari i Shtetit amerikan, Hoyt Brian Yee mbërrin sot në Tiranë rreth orës 10:00.
Pas krizës politike 86 ditore dhe pas dështimit të të gjitha negociatave të bëra deri tani, vizita e Hoyt Yee shihet si e fundit që mund të sjellë normalitetin politik në vend.
Hoyt Yee do të takohet me krerët politikë, kryeministrin Edi Rama, liderin e opozitës, Lulzim Basha dhe me kreun e Kuvendit, njëherësh edhe Presidentin e ardhshëm, Ilir Meta.
Burimet thanë për Ora News se Hoyt Yee do të takohet edhe me deputetët demokratë që kanë shfaqur zërin e tyre kritik brenda Partisë Demokratike, Astrit Patozi, Majlinda Bregu dhe Jozefina Topalli.
Para mbërritjes në Tiranë, Zëvendës/ndihmës-Sekretari Amerikan i Shtetit, Hoyt Brian Yee bëri apelin e tij kundër çdo lloj bojkoti.
“Parlamentet duhet të përfaqësojnë dhe të mbrojnë interesat e qytetarëve. Deputetët nuk mund të heqin përgjegjësinë që kanë duke bojkotuar parlamentin” -tha zyrtari i lartë amerikan ndërsa kujtoi këshillën e ish-presidentit amerikan Rusvelt “se është më mirë të jesh një lider i guximshëm në arenë sesa një kritik apo vëzhgues nga jashtë”.
Gjatë fjalës së tij në forumin rajonal për siguri “2BS” në Budva të Malit të Zi, zyrtari i lartë amerikan tha se Qeveritë në rajonin e Ballkanit duhet të luftojnë kundër korrupsionit dhe udhëheqësit e rajonit duhet të gjejnë kurajën politike, për të bërë reformat e nevojshme në interes të qytetarëve.
Vizitën e Hoyt Yee në Tiranë e komentoi edhe kreu i LSI, Petrit Vasili, i cili tha se ky është një shans për kompromisin që mundëson vazhdimin e integrimit europian dhe zgjedhje të lira e të ndershme, një shans për qetësinë që duam e aspirojmë të gjithë. /Telegrafi/