Telegrafi

Hyn në fuqi vendimi i Ministrisë së Infrastrukturës, deri më 31 korrik ndalohet qarkullimi i automjeteve mbi 7.5 ton

Nga sot hyn në fuqi vendimi i Ministrisë së Infrastrukturës ku ndalohet qarkullimin në autoudhë, rrugë nacionale dhe rajonale për të gjitha automjetet e transportit të mallrave me peshë më të madhe se 7.5T.

Vendimi vlen nga sot 14 korrik deri më 31 korrik 2024 për periudhën nga ora 11:00 deri në ora 17:00, transmeton Telegrafi.

Zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, të shtunën njoftoi se ky vendim është marrë për shkak të temperaturave të larta.

“Të dashur qytetarë, Bazuar në rekomandimet e Departamentit për Menaxhimin e Rrugëve dhe Policisë së Kosovës, me qëllim të ruajtjes së rrugëve nga dëmtimet si rezultat i temperaturave të larta kemi marrë vendim: Ndalohet qarkullimi në autoudhë, rrugë nacionale dhe rajonale për të gjitha automjetet e transportit të mallrave me peshë më të madhe se 7.5T”, ka njoftuar zv.ministri Hysen Durimishi.

Ndryshe, temperatura të larta kanë përfshirë vendin tonë, ekspertët shëndetësorë kanë bërë thirrje që qytetarët të kenë kujdes dhe mos të ekspozohen në diell./Telegrafi/