Telegrafi

Hyn në fuqi rregullorja e re për parkingjet në Prishtinë – pritet të rimbursohen 1 mijë e 862 qytetarë

Nga sot do të hyjë në fuqi rregullorja e re për menaxhimin e parkingjeve në kryeqytet.

Prishtina Parking ka njoftuar se banorët rezident duhet të presin që brenda 30 ditëve të ardhshme të kontaktohen nga N.P.L. Prishtina Parking dhe në kontaktin që do ta realizojnë, do të informohen banorët nëse dokumentet e tyre të dorëzuara më herët janë të plota.

Kjo ndërmarrje ka njoftuar se si rezultat i hyrjes në fuqi të rregullores së re, do të rimbursojë 1 mijë e 862 qytetarë të cilët janë në parapagim në vlerë prej 44 mijë e 130 euro.

“Qytetarët që janë në parapagim do të rimbursohen përgjatë procesit të regjistrimit të veturave të para pranë ndërmarrjes Prishtina Parking”, thuhej në komunikatën për media.

Këto janë veprimet që duhet të ndërmerren nga banorët rezident:

– të presin që brenda 30 ditëve të ardhshme të kontaktohen nga N.P.L. Prishtina Parking.

– në kontaktin që do e realizojmë do të informojmë banorët nëse dokumentet e tyre të dorëzuara më herët janë të plota.

– nëse dokumentacioni është i plotë, banorët do të ftohen të vizitojnë zyrat e N.P.L. Prishtina Parking për të realizuar kontratat e reja dhe pagesën e njëhershme administrative prej 10 euro.

– nëse dokumentacioni nuk është i plotë, banori do të informohet se cilin dokument shtesë duhet ta plotësojë.

– të gjithë banorët e regjistruar më herët do të kontaktohen brenda kësaj periudhe. Gjithashtu, përgjatë kontaktit do të informohen banorët që kanë parapagim për t’u rimbursuar.

– deri në përfundim të kësaj procedure zyrat mund t’i vizitojnë banorët që nuk kanë qenë më herët të inkuadruar në sistem si banorë rezident apo ata të cilët kanë ndryshuar adresat ose automjetet (targat).

Për të marrë informacion të mëtejshëm, qytetarët mund të referohen në web-faqen e “Prishtina Parking” apo në rrjete sociale, ku do të publikohen edhe detajet e çmimores së re të miratuar nga Kuvendi Komunal.

Rregulloren mund ta gjeni KËTU. /Telegrafi/