Ministria e Punëve të Brendshme njofton qytetarët e Republikës së Kosovës se nga sot ka hyrë në fuqi zbatimi i marrëveshjes reciproke për njohjen e patent-shoferit mes Kosovës dhe Italisë.
Njohja e patentë-shoferëve u mundëson qytetarëve të bëjnë konvertimin e dokumenteve pa pasur nevojë t’i nënshtrohen procedurave shtesë, as nga pjesa teorike, as nga pjesa praktike.
“Zbatimi i kësaj marrëveshjeje është një hap i rëndësishëm drejt integrimit të qytetarëve të Kosovës që jetojnë në Republikën e Italisë. Njëkohësisht, kjo marrëveshje do të lehtësojë barrën ekonomike për qytetarët që kanë nevojë ta ndërrojnë dokumentin”, thuhet në njoftim.
Tutje në njoftim bëhet e ditur se finalizimi i këtij procesi është një hap i rëndësishëm për vendin dhe qytetarët sepse me këtë rast do të riafirmohen raportet e shkëlqyera që gëzojnë Republika e Kosovës me Republikën e Italisë. /Telegrafi/