Telegrafi

Hyn në fuqi heshtja zgjedhore

Zyrtarët e Komisionit Qendror Zgjedhor (KQZ) dhe të OSBE-së, të enjten në një konferencë me gazetarë, lavdëruan subjektet politike për një fushatë të dinjitetshme. “Krijohet bindja se procesi i zgjedhjeve do të jetë i suksesshëm”, tha shefi i misionit të OSBE-së, Tim Guldiman.

Ndërsa kryeshefi i sekretariatit të KQZ-së, Mazllum Baraliu, tha se një armatë e tërë njerëzish është duke punuar që këto zgjedhje të kryhen ashtu si duhet. Ai bëri të ditur se përgatitjet teknike tanimë janë kryer dhe vetëm presin pjesëmarrje sa më të madhe të qytetarëve në votime.

Fletëvotimet që janë shtypur në Slloveni, tashmë janë sjellë në Kosovë dhe do të shpërndahen në ditën e zgjedhjeve.

Ditën e shtunë planifikohet të hapen 623 qendra votimi me mbi 2 210 vendvotime. Numri i qytetarëve me të drejtë votë është rreth 1, 5 milion, nga të cilët rreth 160 mijë votojnë për herë të parë. Vendvotimet do të hapen në orën 7 dhe do të mbyllen në ora 19.

Organizatorët e zgjedhjeve kanë paraparë se një votuesi do t’i duhen rreth 9 minuta për të mbushur tri fletëvotimet (për deputetë të Parlamentit, këshilltarë dhe kryetarë të Asambleve Komunale), sidoqoftë asnjë person nuk do të ketë nevojë që të nxitojë në vendet e votimit, pasi që do t’i jepet kohë shtesë.

Të pyetur nga gazetarët lidhur me hapjen e vendvotimeve në veri të Kosovës ku serbët e interesuar do të mund të votonin, përfaqësuesit e KQZ-së dhe të OSBE-së thanë se në qoftë se pengohen nga strukturat paralele të hapin vendvotimet nëpër objektet institucionale, atëherë do të improvizohen vendvotime mobile, nëpër automjete të ndryshme.

Shefi i OSBE-së tha se janë duke bashkëpunuar ngushtë me policinë dhe paqeruajtësit e KFOR-it, në mënyrë që këto zgjedhje të kalojnë në atmosferë të qetë.

Rezultatet paraprake të zgjedhjeve komunale dhe parlamentare në vend pritet të publikohen dy-tre ditë pas ditës së zgjedhjeve, ndërsa rezultati final do të shpallet në fund të nëntorit. Buxheti për këto zgjedhje kap vlerën prej 6 milionë eurosh.