Site icon Telegrafi

Bajrami: MASHTI pagoi 32 zyrtarë serbë pa shkuar në punë

Zëvendësministri i Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Dukagjin Pupovci po raporton para Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike lidhur me raportin e auditimit për pasqyrat financiare vjetore të ministrisë.

Kryetarja e Komisionit, Hykmete Bajrami tha se disa nga gjetjet janë për blerjen e librave në vlerë prek 2.1 milionë euro, keq-klasifikimi i shpenzimeve, pagesa e 32 pjesëtarëve serbë pa ardhur në punë.

“Pagesa e 32 zyrtarëve pa evidencën e vajtje-ardhjes. Ka një mal me të gjetura, gjitha këto kanë sjellur me numrin e të gjeturve nuk ka mundësi që një raport i tillë të kontestohet”, tha ajo.

Zëvendësministri Dukagjin Pupovci tha se kanë tentuar që të kontaktojnë me ta, por vetëm tre janë përgjigjur.

“Ne kemi hartuar një plan veprimi dhe në momentin e dorëzimit me 23 të gjetjeve, nëntë kanë qenë të zbatuara, ndërsa të tjerat janë në proces. Po e pranoj qe ka edhe dobësi që janë të karakterit arsimor, sepse ne kemi gjashtë universitete publike dhe e ngarkon shumë sistemin tonë financiar. Ne kemi propozuar që këto universitete të pavarësohen. Në lidhje me 32 punonjësit, vërtetë kemi pasur shumë vështirësi. Kemi provuar të kontaktojmë telefon, vetëm 3 janë përgjigjur. Në këtë muaj do t’i qesim pagat në zero në mënyrë që të na paraqiten. Ministria jonë ka më së shumti persona të tillë që janë kaluar me njërën nga marrëveshjet në të kaluarën. Edhe në momentin kur ta kemi përgjigjen e tyre, do ta kemi problem sepse mund të angazhohen vetëm në pjesën veriore”, ka thënë ai.

Më tej, Pupovci tha se këta 32 punonjës të ministrisë nuk kanë ndjekur konkurset publike dhe se të njëjtit kanë arsimim vetëm të shkollës së mesme.

Auditori Qerkin Morina theksoi se ky raport ka gjetje më së shumti në kuptimin e menaxhimit financiar sa i përket ministrive, raporton kp.

“Gjendja vazhdon të përkeqësohet. Një vit më herët kanë qenë 14 rekomandime tash janë rritur 22, 5 prej tyre janë përsërit. Kjo është një neglizhencë e zyrtarëve… gabimet kur përsëriten rezultojnë me pasoja më të mëdha. Planin e veprimit jemi tu e analizuar, ekipet e kanë kry një pjesë të punës 2021 dhe jemi tu e testu nivelin e rekomandimeve se deri në çfarë shkalle janë zbatuar”, tha ai.

Morina u shpreh se ekzistojnë zbrazëti në koordinimin e aktiviteteve e se gjendja nuk është aspak e mirë. Tutje ai kërkoi nga zyrtaret e MSh-së t’i shikojnë me kujdes rekomandimet e ta përmirësojnë gjendjen.

Exit mobile version