Huthit jemenas kanë kryer sulme me fluturake pa pilot ndaj dy aeroporteve saudite, në aeroportin ndërkombëtar Abha të rajonit Asir dhe në aeroportin Cazan.
Televizioni i Jemenit Al-Mesira konfirmoi sulmin e kryer mbi dy aeroporte, të cilat ishin të suksesshme. Po ashtu thuhet se sulmet janë kryer me fluturake pa pilot të tipit Qasef-2.
Televizioni saudit Al-Arabiya, përcjell AA, konfirmoi se nga Jemeni me raketë balisitke është sulmuar aeroporti Abha, por sulmi është penguar duke shkatërruar raketën me anë të sistemit të mbrojtjes ajrore.
Rijadi zyrtar ende nuk është prononcuar lidhur me sulmin.
Më parë lëvizja rebele Huthi mori përgjegjësinë për sulmin ndaj aeroportit Abha me raketë, duke deklaruar se “raketa ka goditur objektivin”.
Huthit nga Jemeni me anë të fluturakeve pa pilot dhe raketave me rreze të gjatë dhe të mesme në vitet e fundit sulmojnë disa zona në Arabinë Saudite. Megjithatë, ato interceptohen nga sistemet e mbrojtjes saudite. /Telegrafi/