Site icon Telegrafi

Huthit e Jemenit pretendojnë se kanë goditur aeroportin Abha në Arabinë Saudite

Në Jemen, Huthit e mbështetur nga Irani pretendojnë se kanë goditur aeroportin Abha në jug të Arabisë Saudite me mjete ajrore pa pilot ndërsa forcat e koalicionit njoftuan se kishin shkatërruar dronin e Huthive.

Zëdhënësi ushtarak i Huthive, Yahya Saree në një deklaratë tha se kanë goditur aeroportin Abha dhe vendet e rëndësishme në Bazën Ajrore King Khalid në qytetin Khamis Mushait me 3 dronë, transmeton Anadolu Agency.

Ai tha se sulmi ishte kryer si përgjigje ndaj “sulmeve ajrore të koalicionit dhe bllokadës së vazhdueshme në Jemen”.

Koalicioni: Neutralizuam dronin e Huthive

Sipas lajmit të agjencisë zyrtare të Arabisë Saudite SPA, zëdhënësi i forcave të koalicionit, Turki al-Maliki tha se është neutralizuar droni i ngarkuar me eksploziv i lëshuar nga Huthit në jug të Arabisë Saudite.

Duke theksuar se vazhdojnë përpjekjet e Huthive për të sulmuar civilët qëllimisht dhe sistematikisht, Maliki shtoi se kjo është një “krim lufte”.

Maliki thekson se kanë marrë masa për të mbrojtur civilët dhe objektet civile në përputhje me të drejtat ndërkombëtare të njeriut.

Forcat e koalicionit dje njoftuan se i kanë shkatërruar 2 raketa balistike me eksplozivë të Huthive të dërguara në Arabinë Saudite.

Huthit e mbështetur nga Irani në Jemen shpesh shënjestrojnë rajonet jugore të Arabisë Saudite.

Në Jemen, ku paqëndrueshmëria politike ka mbizotëruar për një kohë të gjatë, Huthit që nga shtatori i vitit 2014 kanë kontrolluar kryeqytetin Sana dhe disa rajone të tjera.

Forcat e koalicionit të udhëhequra nga Arabia Saudite që nga marsi i vitit 2015 kanë mbështetur qeverinë e Jemenit kundër Huthive.

Exit mobile version