Shqipëria u ngrit si komb në këto 100 vite përmes ekuilibrave tejet të brishtë mes Jugut e Veriut, mes bregdetit dhe zonave malore, mes komuniteteve të ndryshme fetare dhe çfarëdo humbje apo shtim territoresh e rrezikon seriozisht atë.
Një prononcim i imi për mediat serbe se “propozimi për ndarje të Kosovës nga ana e Daçiqit dhe Tadiqit do të thotë se Serbia po e njeh kombin kosovar, por po i konteston kufijtë e shtetit të Kosovës”, bëri që Tadiqi të del nga takti dhe të propozojë ndarjen e Kosovës jo me Prishtinën, po me Tiranën.
Kjo është një huqje e madhe e presidentit serb, Boris Tadiq, i cili shquhet për zgjuarsinë dhe maturinë e tij ngase propozimi i tij i fundit forcon pozicionin e Kosovës para faktorit ndërkombëtar. Natyrisht, e tërë kjo me supozimin se Tirana e kundërshton kategorikisht këtë gjë. Në rast se Tirana do ta pranonte këtë propozim, atëherë Beogradi do të ishte në avantazh sepse do të dukej sikur është shteti serb ai që dhuron territore.
Në të kundërtën, nëse Serbia e pranon ekzistencën e kombit kosovar atëherë çfarëdo insistimi i Beogradit për veriun e Kosovës sjell në rend të ditës punën e Luginës së Preshevës, përkatësisht këmbimin e territoreve.
Si duket, presidenti Tadiq e ka vërejtur se ka rrëshqitur para kohe në këtë drejtim dhe është përpjekur që ta përmirësojë gabimin duke bërë një gabim akoma më të madh.
Ja përse Tirana nuk është e interesuar për bashkim me Kosovën
Zakonisht kur ndokush nga zyrtarët e shtetit shqiptar deklaron ndonjë gjë në këtë drejtim, kosovarët e akuzojnë për proserb apo progrek. E vërteta është se kosovarët duke mos qenë akoma komb nuk e kuptojnë rrugën e mundimshme të krijimit e të ndërtimit të kombit. Kosovarët mendojnë (sepse ashtu ua do qejfi dhe sepse është më e kollajshme) se gjaku e gjuha të bëjnë vetvetiu komb.
Shqipëria u ngrit si komb në këto 100 vite përmes një rruge me përplot vuajtje e sakrifica duke sfiduar ekuilibra tejet të brishtë mes Jugut e Veriut, mes bregdetit dhe zonave malore, mes komuniteteve të ndryshme fetare, mes fqinjëve agresivë dhe të pangopur. Natyrisht, një komb i tillë mund të ngrihej vetëm falë sakrificës mbinjerëzore të patrioteve shqiptarë. Si rezultat i gjithë këtyre rrethanave, Shqipëria mbetet akoma një komb me ekuilibra të brishtë dhe çfarëdo ndërhyrje qoftë me humbje territoresh qoftë me shtim territoresh, rrezikon prishjen e këtij ekuilibri të krijuar me shumë mund e sakrificë për më se një shekull.
Prandaj, janë patriotët shqiptarë ata që nuk e kërkojnë bashkimin e Shqipërisë me Kosovën e jo agjentët grekë e serbë. Janë patriotët shqiptarë ata që frikësohen nga prishja e ekuilibrit të krijuar brenda Shqipërisë e jo agjentët grekë e serbë. Por këtë, kosovarët akoma nuk e kuptojnë. Patriotët e njëmendë të Shqipërisë i gëzohen pavarësisë së Kosovës dhe këtë pavarësi e shohin si garancë të qëndrueshmërisë së Shqipërisë së sotme, ndërsa i shohin si rrezik për stabilitetin në Shqipëri kosovarët që plotë gojën e kanë “bashkim me Shqipërinë”.
Tadiqi do të detyrohet ta njeh kombin kosovar
Huqja e Boris Tadiqit bëhet akoma më e madhe pasi që propozimi i tij vjen menjëherë pas ftesës që presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi, i ka bërë atij për ta vizituar Shqipërinë. Refuzimi i propozimit të tij nga ana e forcave politike në Shqipëri do të jetë një dush i ftohtë për Tadiqin. Nëse veç nuk heq dorë nga vizita në Tiranë, e çka poashtu nuk do të ishte mirë për të, Tadiqi do të detyrohet ta njeh kombin kosovar. Do të varet nga aftësia e shoqërisë kosovare nëse Kosova do të mbetet tek Ahtisaari apo do të përfundojë me Dayton II, përkatësisht të federalizohet si Bosnja.
Skenari i Beogradit për federalizimin e Kosovës
Skenari për këtë tashmë është i qartë: Propozimet e Serbisë për ndarje po refuzohen. Por Serbia pret që Prishtina diku të lëshoj pe. Serbia po heq dorë nga kushtetuta e vet prandaj hajde edhe Kosova ta bëjë të njëjtën gjë. Ndryshimet në kushtetutën e Kosovës ashtu e kështu po bëhen për shkak të mënyrës së zgjedhjes së presidentit të vendit. Këtu do të kërkohet të përfshihet statuti i veçantë për veriun e Kosovës, pasi ai tashmë veç ka autonominë e vet.
Ministri i brendshëm Bajram Rexhepi po tregohet i paaftë për t’i vënë nën komandë policët të cilëve u jep rroga në veri të Kosovës. Nëse komandantët e stacioneve policore e zgjasin këtë situatë edhe për një kohë, atëherë autonomia e veriut është një realitet në teren. Në momentin që Prishtina zyrtare do ta ligjëroj autonominë e veriut të Kosovës, komunat me shumicë serbe në jug të Kosovës do të thonë: Përse ne që e njohëm shtetin e Kosovës të kemi më pak të drejta se ata që deri më sot nuk e njohën shtetin e Kosovës?. Dhe atëherë me çfarë të drejte morale do t’ua refuzosh kërkesën?. Pranimi i kërkesës çon drejt e në Republikën serbe të Kosovës.
Ky më sipër është skenari i Beogradit. Se a do të arrihet të realizohet ky skenar i zymtë për Kosovën varet prej klasës politike të Kosovës, të cilët me gabimet dhe joseriozitetin e tyre gjithë Kosovën po e mbajnë nën ankth. Por, shyqyr Zotit edhe Boris Tadiqi po e huqë nganjëherë. Çështja është që Kosova duhet t’i ketë njerëzit që e nxisin Tadiqin të gabojë. E ata që nxisin Tadiqin të gabojë nuk janë ata që kundërshtojnë ekzistencën e kombit kosovar, por përkrahësit e kombit kosovar, falë të cilëve do të mbijetojë Kosova si shtet.