Site icon Telegrafi

Hungaria e gatshme të investojë në Kosovë në fushën e mjedisit

Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ferid Agani, ka pritur sot ambasadorin e Hungarisë në Kosovë, Laszlo Markusz, me të cilin bisedoi për mundësinë e bashkëpunimit konkret në fushën e mjedisit, njoftoi MMPH.

Ministri Agani fillimisht e njoftoi ambasadorin Markusz me gjendjen aktuale në këtë ministri, duke theksuar nevojën e realizimit të projekteve në fushën e trajtimit të ujërave të zeza, duke kërkuar nga qeveria e Hungarisë ndihmën në këtë sektor.

Ambasadori hungarez tha se shteti nga vjen ai është i interesuar të investojë në këtë fushë, konkretisht në ndërtimin e impianteve për trajtimin e ujërave të zeza, duke shtuar se kompanitë hungareze kanë përvojën dhe teknologjinë e duhur për të zgjidhur këtë problem.

Ministri Agani mirëpriti interesimin e qeverisë së Hungarisë për të investuar në Kosovë, dhe njëkohësisht e siguroi ambasadorin se Ministria që ai drejton, por edhe Qeveria, do të bëjnë çmos që investimet e tilla me interes jetik për qytetarët të realizohen, thuhet në komunikatë./Telegrafi/

Exit mobile version