Nuk është Prishtina e as Remzi Ejupi ai që i dërgoi në Belgjikë futbollistët Emir Sahiti e Edon Zhegrova të klubit kryeqytetas. Fjalën kryesore e pati tjetër kush. Ai është humoristi i njohur shqiptar, Vedat Bajrami, i cili ka kryer të gjitha punët që pos Emirit (15) dhe Edonit (15), në prova te Standardi të zbarkojë edhe Suad Sahiti (19).
“Vedat Bajrami qëndron prapa provimit të këtyre futbollistëve në Belgjikë. Ai i ka kryer të gjitha shpenzimet e tyre. Vedati nuk ka dashur që kjo të bëhet e madhe dhe t’i dalë emri nëpër media”, thotë burimi i gazetës SportPlus.
Të dy vëllezërit Sahiti i kanë kaluar provat dhe iu kanë pëlqyer shumë ekspertëve të futbollit belg dhe me këtë i bie që Vedat Bajrami e ka filluar mirë punën e menaxherit. Këtë e konfirmon edhe nëna e vëllezërve Sahiti, Zarifja. “Djemtë kanë shkëlqyer në Belgjikë. Kanë treguar formë të lartë dhe ekspertëve belgë ju kanë pëlqyer. Djemtë e mi i kanë kaluar provat edhe në Itali dhe deri ditën e mërkurë nuk do të vendosim asgjë. Besoj që pas të mërkurës do të vendosim se ku do të vazhdojnë karrierën, në Itali apo Belgjikë”, tha nëna e vëllezërve Sahiti, e cila është duke i pritur lejet e punës nga Italia për djemtë e saj.
Ajo e pranon që Vedat Bajrami ishte ai që i ka dërguar në Belgjikë. Gjithsesi, gazeta vazhdimisht ka provuar të flasë edhe me lojtarët, por ata nuk kanë kthyer përgjigje, mbase kanë qenë edhe të obliguar për ta bërë këtë.
Vedati nuk flet, Zhegrova vazhdon provat
Humoristi i njohur, Vedat Bajrami, i cili njihet për karrierën e tij si portier në të kaluarën, i kontaktuar nga gazeta, nuk ka dashur të flasë për këtë çështje, por nuk e ka pohuar e as mohuar përfshirjen e tij në këtë ngjarje. Përveç vëllezërve Sahiti, në Standard Liege gjendet edhe talenti tjetër, Edon Zhegrova, i cili është duke i vazhduar testimet. Për Zhegrovën është shkuar shumë në kohën e fundit nga mediat e huaja, ndërsa ai njihet edhe si fitues i ‘Milan Junior Camp’, të parit të mbajtur në Kosovë. Djaloshi magjik do të vazhdojë provat edhe për disa ditë dhe pastaj do të dihet e ardhmja e tij në klubin belg, Standard Liege. /SportPlus/Telegrafi/