Telegrafi

Hummels tregon se a i është ofruar Bayernit

Mbrojtësi i Dortmundit, Mats Hummels ka mohuar të ketë arritur marrëveshje me Bayern Munichun, ndërsa ka theksuar se nuk i është ofruar klubit bavarez.

Presidenti i Bayernit, Uli Hoeness ishte shprehur ditë më parë se Hummels ka shprehur dëshirën për t’u bashkuar me klubin e tij, raporton Goal. Por, Hummels ka thënë se nuk i është ofruar klubit bavarez, por janë ata që kanë kërkuar shërbimet e tij.

“Kur dikush si Bayerni troket në derën tuaj, do të këshilloheshit keq nëse nuk do ta hapnit atë. Por, unë nuk i jam ofruar ndokujt. Kjo është gjëja më e pa kuptimtë që e kam dëgjuar”, ka thënë Hummels, transmeton Koha.net.

Hummels gjatë gjithë kohës fishkëllehej nga tifozët e Dortmundit në fitoren prej 5-1 sot kundër Wolfsburgut.

Ndërsa shefi ekzekutiv i Bayernit, Karl-Heinz Rummenigge pas barazimit kundër Gladbachut ka sqaruar komentet e Hoenessit, duke thënë se Hummels nuk ka kërkuar kalimin në Bayern, por që është klubi bavarez që ka kërkuar shërbimet e tij, transmeton Koha.net.

“Ndoshta Uli nuk e ka kuptuar atë çështje drejt. Ne kemi trokitur në derën e tij, jo Hummels në të tonën. Mats nuk ka lëvizur drejt nesh, por ne e kemi pyetur atë nëse mund ta imagjinojë veten duke u transferuar në Bayern”, ka thënë Rummenigge.