Site icon Telegrafi

Humbjet e mëdha të kursimeve pensionale ngjallin pakënaqësi

Trusti i Kursimeve Pensionale të Kosovës humbi mbi 160 milionë euro në tregjet ndërkombëtare financiare deri në korrik të këtij viti. Humbjet shkaktuan pakënaqësi ndër qytetarë dhe në qarqe ekonomike.

Por, njëherësh riaktualizuan kërkesën për tërheqjen e 30 për qind të kursimeve pensionale.

“Ato mjete po të ishin futur në qarkullim në Kosovës, sigurisht se do të kishte reflektim pozitiv në ekonominë e vendit”, deklaroi për RTV 21 Lulzim Rafuna nga Oda Ekonomike e Kosovës.

Ekonomisti Mustafë Kadrijaj thotë se qytetarëve duhet t’iu jepen mjetet e kërkuara derisa sipas tij Qeveria duhet të japë llogari për  mjetet e humbura të TRUST-it.

“Është një paradoks pasi qeveria më shumë po ka gatishmëri të japë pako ekonomike, se sa ta japë TRUST-in që  është diçka që qytetari nuk ka kërkuar rimbursim”, deklaroi Kadrijaj.

Peticioni me mbi 20 mijë nënshkrime me këtë kërkesë pritet që të diskutohet së shpejti në Kuvendin e Kosovës.

Exit mobile version