Kampioni në fuqi i Kosovës, Drita ka pësuar humbje minimale në ndeshjen e parë në Ligën e Evropës 2-1 nga skuadra F91 Dudelange.
Drita e nisi mirë ndeshjen duke pasur më shumë nga loja në pjesën e parë.
Gjilanasit sulmuan vazhdimisht dhe patën katër goditje në drejtim të portës së vendasve, përkundër një që pati skuadra e Dudelange.
Haxhi Neziraj e Betim Haxhimusa patën raste të mira shënimi por pa arritur qëllimin për të shënuar.
E kur të gjithë po prisnin që pjesa e parë të përfundonte pa gola, kështu nuk mendonte Xhevdet Shabani.
Mesfushori anësorë u asistua për mrekulli nga Betim Haxhimusa dhe shënoi gol në lojën shtesë të pjesës së parë për 0-1.
Në pjesën e dytë gjërat ndryshuan, me vendasit që filluan të sulmonin vazhdimisht portën e Bakajt.
Sulmuesi francez i vendasve, Nicolas Perez barazoi shifrat në 1-1 pas asistimit nga Prempeh në minutën e 66-të.
Kampionët e Kosovës vazhduan lojën defensive në pjesën e dytë, por në minutën e 80-të gabuan duke shkaktuar penallti.
Mesfushori Endrit Krasniqi shkaktoi penalltinë dhe u ndëshkuan me kartonin e dytë të verdhë duke u përjashtuar nga ndeshja.
Nga pika e bardhë i saktë për vendasit ishte sulmuesi David Turpel për 2-1.
Drita deri në fund provoi barazimin e rezultatit por një gjëje të tillë nuk ia arritën.
Kampionët në fuqi të Kosovës do të tentojnë rikthimin në ndeshjen e kthimit.
Ndeshja e kthimit mes Dritës dhe F91 Dudelange do të zhvillohet pas një jave në stadiumin Adem Jashari në Mitrovicë. /Telegrafi/