Telegrafi

Humbja nga Suedia në hendboll, deklarohen trajneri Cabanas dhe kapiteni Valon Dedaj

(Foto: kosovahandball.info)

Trajneri i Kosovës në hendboll, Javier Cabanas dhe kapiteni Valon Dedaj janë deklaruar pas humbjes së Përfaqësueses nga Suedia me rezultat 30:16. Ekipi jonë e ka humbur edhe ndeshjen e dytë të fazës së dytë kualifikuese për Euro 2022 në Pallatin e Rinisë dhe Sportit në Prishtinë.

“Mendoj se nuk kemi qenë të mirë në fazën e sulmit. Kemi pasur shumë probleme ta sulmojmë mbrojtjen 6:0 të Suedisë. Dhe kur ne nuk kemi shënuar gol ose kur e kemi humbur topin, ata e kishin kundërsulmin shumë të mirë”.

“Shumë gola të shënuar të Suedisë kanë qenë nga kundërsulmi. Sipas mendimit tim, ne kemi qenë mirë në mbrojtje por jo edhe në sulm. Në pjesën e dytë ne kemi humbur shumë topa dhe ky ka qenë problemi”, është shprehur Cabanas.

(Foto: kosovahandball.info)

“Ndeshjen e kemi filluar shumë mirë, sidomos në sulm, kurse në mbrojtje kemi luftuar së bashku. Më pas e pamë se ata kanë shumë kualitet, luajnë në ligat më të forta në botë. Pjesa e parë për mua ka qenë shumë e mirë, e suksesshme, edhe në mbrojtje edhe në sulm”.

“Në pjesën e dytë e kemi pasur të vështirë pasi edhe nuk kishim më fuqi. Ata mundën t’i ndërronin lojtarët ndërsa ne mund të luanim me 8-9 lojtarë. Aty është vërejtur mungesa e disa lojtarëve për shkak të lëndimit, por loja ka qenë e mirë deri diku.

“Shpresoj të marrë fund sa më shpejtë pandemia sepse neve na mungojnë shumë shikuesit. Në Kosovë, kur luajmë me shikues, çdo ekip na ka frikën dhe ne marrim më shumë zemër kur kemi tifozë. Besoj se me Rumaninë në Kosovë do të fitojmë. Nuk janë shumë më të mirë se ne, por ne jemi luftarakë. Besoj se kur të jenë ndeshjet kthyese në muajin mars, do të kemi suksese me Rumaninë dhe me Malin e Zi”, ka deklaruar kapiteni Valon Dedaj.