Ekspertët nga qendra mjekësore universitare Rush në Chicago kanë zbuluar se personi i cili mund të ndiejë më shumë aroma të ndryshme sigurisht do të jetë gjallë edhe disa vjet me radhë.
Ekipi i shkencëtarëve ka testuar mbi 1.000 vullnetarë në mes të moshave 52 e 100 vjeç. Testi është përbërë nga dymbëdhjetë aroma të ndryshme, siç është aroma e tymit, limonit, piperit, çokollatës e cimetit. Asnjëri prej pacientëve nuk vuante nga demencia apo sëmundja e Parkinsonit gjatë asaj periudhe. Shkencëtarët më pas kanë përcjellë edhe gjendjen e tyre në kohëzgjatje prej katër vjetësh. Gjatë asaj periudhe 321 njerëz kanë vdekur, respektivisht 27.6 për qind e vullnetarëve.
Ata kanë kuptuar se rreziku se nga vdekja është për 36 për qind me i madh tek ata njerëz të cilët kanë ndier gjashtë aroma krahasuar me ata që kanë ndier njëmbëdhjetë apo dymbëdhjetë aroma të ndryshme. Kjo përqindje është e njëjtë edhe kur merret parasysh mosha e pleqërisë, depresioni, çrregullimi i trurit dhe aktiviteti.
“Rezultatet kanë dëshmuar se vështirësitë në dallimin e aromave në moshë të shtyrë janë ngushtë të lidhura me vdekjen”, ka shkruar udhëheqësi i hulumtimit Robert Wilson në botimin e janarit të revistës Chemical Senses.
Doktori Wilson ka thënë se me hulumtimet e mëhershme është vërtetuar se vështirësitë me shqisën e nuhatjes janë shenja të hershme të gjendje neuro-degjenerative siç është demencia.
“Secila prej këtyre gjendjeve zhvillohet në periudhë prej disa vitesh dhe është e lidhur me vdekjen e shtuar. Problemet me shqisën e nuhatjes janë në lidhje të drejtpërdrejtë me këto gjendje, prandaj besojmë se ka lidhje edhe me vdekshmërinë” ka thënë Wilson. /Telegrafi/