Telegrafi

Humbja e LDK-së në Podujevë, Veliu: Hyseni u përdor nga Abdixhiku kundër meje

Anëtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Agim Veliu, ka thënë se kreu i LDK-së, Lumir Andixhiku e ka për detyrë që të bëjë unifikimin e degës së partisë në Podujevë.

Sipas Veliut, nëse vazhdon kështu dega e LDK-së në Podujevë ajo do të përçahet edhe më shumë, transmeton Telegrafi.

“Lumir Abdixhiku bashkë me bashkëpunëtorët e vet e kanë obligim për unifikimin e degës. Përndryshe nëse vazhdon kështu dega e LDK-së në Podujevë do të përçahet, sepse janë lënë anash në këtë proces figurat kryesore të LDK-së, që e kanë bartë barrën kryesore gjatë një periudhë të gjatë kohore. Janë lënë anash njerëzit, sepse kandidati i Abdixhikut ka dashtë me garu me një ekip të ri, ide të reja”, ka pohuar ai.

Veliu mes tjerash ka thënë se kandidati i LDK-së për kryetar të Podujevës, Ekrem Hyseni, gjatë fushatës zgjedhore asnjëherë nuk ka mbrojtur partinë.

“Nuk ka qenë asnjëherë në gjendje të flasë për projekte, nuk e ka mbrojt LDK-në me punën që e ka bërë, por është distancuar nga LDK, ka dashtë me bo diçka të re. Kush ka qenë në ekipin e tij është për keqardhje. Grupi i tij ka qenë me shoferë, e truproje”, potencoi ai në Debat Plus të RTV Dukagjinit.

Mes tjerash, Veliu theksoi edhe një herë se ai nuk ka ndihmuar kandidatin e LVV-së për të fituar zgjedhjet në Podujevë.

“Veliu nuk ka bërë asnjë hap, asnjë thirrje, nuk ka anëtar të LDK- që mund të thotë që i kam thirrur e i kam thënë voto Shpejtim Bulliqin. Nuk e fajësoi Ekrem Hysenin, ai është përdorur nga Abdixhiku kundër meje. Ai është mashtruar dhe është përdorur”, deklaroi Veliu. /Telegrafi/