Telegrafi

Humbja e integrimit, FRD: Partia në pushtet, përgjegjëse direkte

“Fakti se komisioneri Fyle e bazoi vizitën në takime me qeverinë dhe opozitën, tregon se dy palët janë po ashtu përgjegjëse për bllokimin e reformave, mungesën e dialogut politik, funksionimin normal të institucioneve politike e kushtetuese, si dhe për klimën e tensionuar e natyrën thellësisht partiake të administrimit zgjedhor”, thekson Mirela Bogdani.

Sipas saj , mesazhi i Bashkimit Evropian përmes Komisionerit për Zgjerimit të Bashkimit Evropian, Stefan Fule, i jep përgjigje direkte fushatës amorale të partive të vjetra shqiptare, të cilat janë në garë për të fituar me çdo kusht, një praktikë e vjetër abuzive dhe ndëshkuese për Shqipërinë.

“Për Frymën e Re Demokratike është e qartë se zgjedhjet pa standarde dhe dështimet e vonesat në procesin e integrimit rëndojnë në radhë të parë te qytetarët dhe imazhi i shtetit shqiptar. Qytetarët duhet ta dinë se fatin e tyre evropian po e mbajnë peng një grusht politikanësh të korruptuar dhe abuzivë, për të cilët interesat publike e kombëtare qëndrojnë pas interesave personale për pushtet”, theksoi Drejtoresha e Departamentit të Marrëdhënieve me Jashtë dhe Integrimit në FRD.

Sipas saj, FRD-ja pas zgjedhjeve të 23 qershorit, do të jetë partneri përcaktues politik, me të njëjtën gjatësi vale me mesazhet e BE-së dhe me plan konkret veprimi në përmbushjen e të gjitha kritereve të integrimit dhe në kthimin e frymës evropiane në tipar dallues të politikës dhe shoqërisë shqiptare. /Telegrafi/