Site icon Telegrafi

Humbja alarmon Pejën! Dikush do të largohet

Pasi u nëpërkëmb edhe sonte nga Bardhekaltërit në kryeqytet me një disavantazh prej 18 pikëve, kryesia e klubit ka reaguar ashpër me një komunikatë në faqen e saj zyrtare në Facebook.

Në vazhdim po ua përcjellim komunikatën e tyre:

“Humbje e rëndë!

KB Sigal Prishtina vs KB Peja 79-61

Vërtetë pas kësaj ndeshje duhen të bëhen ndryshimet. Të gjithë ata që nuk e respektuan fanellën e shenjtë ‘verdhë e zi’ do të dënohen rëndë.

Në vjen vërtetë keq, dhe do të bëjmë gjithçka çfarë është e mundur që KB Peja të kthehet në rrugën e suksesit.

I falënderojmë shumë dhe ndjehemi krenarë me pesëshen e fundit e cila tregoj që zemra dhe krenaria nuk blihen me pare!

KB Peja do të vazhdojë tutje, me apo pa dikë.

Madhështia e këtij klubi është që sa herë bie poshtë, ngritët edhe më fuqishëm lartë përsëri”, thuhet në komunikatën e tyre e cila ngrit shumë çështje pezull.

Ajo çfarë mund të kuptojmë nga kjo komunikatë është se dikush do të largohet nga klubi, mirëpo për kë është fjala? Në ‘pesëshen’ e fundit që luajti në ndeshjen e sotme munguan Frederick House, Samir Shaptahu e Drilon Hajrizi, sepse trajneri i tyre futi në lojë disa lojtarë vendorë.

A do të thotë kjo që klubi pejan do t’i largojë njërin nga tre lojtarët kryesorë të kësaj skuadre? Frederick House është një lojtar që mundohet shumë për klubin pejan dhe ka treguar vlerat e tij, teksa Samiri dihet se është idhulli i të gjithë tifozëve, ndërsa për Drilon Hajrizit nuk mund të thuhet e njëjta gjë. Ky i fundit asnjëherë nuk ka luajtur në potencialin e tij prej se ka ardhur te Peja, dhe asnjëherë nuk ka bindur plotësisht me paraqitjet e tij, sikur që bënte dikur për Trepçën.

Çfarë mendoni ju lexues të nderuar, kush mund të jetë lojtari që mund të largohet së shpejti nga klubi? Na shkruani në hapësirën për komente… /Telegrafi/

Exit mobile version