Telegrafi

Humbin gjurmët e AKM-së

Me urdhrin e ish shefit të Shtyllës IV të UNMIK`ut, Paul Acda janë larguar dhe zhvendosur gjithë kompjuterët dhe hard disqet e tyre që kanë qenë aty që prej ekzistimit të Agjensionit Kosovar të Mirëbesimit. Express për një iniciativë të tillë ka mësuar prej burimeve të veta të besueshme. Ky aksion ka filluar para dy ditësh.

Kompjuterët janë ruajtur dhe menduar si arkiv apo bazë për nisjen e punës së Agjensionit Kosovar të Privatizimit. Bordi i AKM`së, tash AKP`së, nuk di asgjë për largimin e këtyre aparaturave.
Nuk është bërë e ditur as ku po dërgohen këta kompjuter dhe çfarë po bëhet me hard-disqet.

Burimet thonë se hard disqe po shlyhen. Zyrtar të AKM`së, në kushte anonimiteti njoftojnë se kjo punë është dashur të fillojë me ndonjë vendim të Bordit të AKP`së, për shkak se ata do të vazhdojnë punën aty dhe të vijojnë në saje të atyre të dhënave.

“Tash e dy ditë punëtorët e IT`së së Shtyllës IV të UNMIK`ut kanë filluar të tërheqin kompjuter dhe të pastrojnë hard disqet nëpër zyrat e AKM`së”, tha një burim i Express.

Ai tregoi se për këtë punë nuk ka ndonjë urdhër me shkrim apo vendim nga drejtuesit e lartë të UNMIK`ut, por vetëm të Paul Acdes.
Udhëheqësit e Shtyllës IV, pasi kanë mohuar dhe kundërshtuar informatat e Express për largimin e kompjuterëve nga objektet e AKM`së, disa orë më vonë ata kanë kthyer përgjigjet e dyta në të cilat pranojnë se është e vërtetë se kompjuterët dhe arkiva e AKM`së po tërhiqet nga objekti.

Zëdhënësja e kësaj administrate, Matild Henneke, herën e parë është përgjigjur për Express, se nuk është fare e vërtetë se Paul Acda ka urdhëruar të hiqen kompjuterët e AKM`së nga zyrat. Informatat i ka quajtur absolutisht të pasakta.
Pas disa orësh, vetë zëdhënësja e Shtyllës IV`të UNMIK`ut, Henneke, ka pranuar se Acda ka dhënë urdhër që këta kompjuter dhe arkiva e AKM`së po zhvendoset.

Këtë e ka konsideruar si pjesë të procesit së likuidimit të Shtyllës së katërt.
“Ne po i zhvendosim mjetet e vlefshme të Shtyllës IV nga objekti”, tha Henneke.
Kjo, sipas zëdhënëses Henneke, bëhet pasi që kjo organizatë duhet t’i numërojë mjetet e veta para se të vendos së kujt t’ia japi si donacion. Në anën tjetër këta kompjuter dhe arkiva nuk mund të jepen si donacion për shkak se janë të dhënat e gjithë privatizimit dhe shumë proceseve tjera ekonomike të Kosovës që janë zhvilluar në këtë institucion.

Paul Acda, ka qenë kryetar i Bordit të Agjencionit Kosovar të Privatizimit për katër vjet me radhe dhe shef i Shtyllës IV të UNMIK`ut. Para kësaj kohe Acda, ka drejtuar edhe sektorin e Shërbimit Doganor.