Telegrafi

I humbi këmbët në një shpërthim në Afganistan, ushtari gurkha bënë historinë duke ngjitur Everestin

Një ish ushtar gurkha i ushtrisë britanike i cili kishte humbur të 2 këmbët derisa shërbente në Afganistan, është bërë personi i parë me 2 këmbë të amputuara mbi gjunjë i cili ka ngjitur Malin Everest.

Hari Budha Magar përfundoi ngjitjen rraskapitëse 70 vjet pasi Sir Edmund Hillary dhe Sherpa Tenzing Norgay u bënë alpinistët e parë që e pushtuan Everestin.

Nepalezi 43 vjeçar tha: “Nëse unë mund të ngjitem në majën e botës, atëherë të gjithë mund ta arrijnë ëndrrën e tyre, pavarësisht se çfarë aftësi të kufizuara i kanë ata”, raporton Daily Mail, transmeton Telegrafi.

Hari u rrit në malet nepaleze përpara se të shërbente 15 vjet si tetar me regjimentin gurkha të ushtrisë britanike, duke humbur të dyja këmbët në një shpërthim nga një mjet shpërthyes të improvizuar në vitin 2010.

Ai arriti ta ngjitë majën me lartësi prej 8,848 metrave rreth orës 15:00 të së premtes.

Babai i 3 fëmijëve u kthye në kampin bazë, ku përmes një telefoni satelitor ai deklaroi: “Ishte e vështirë. Ngjitja ishte më e vështirë se sa unë e kisha paramenduar. Thjesht duhej të vazhdonim dhe të përpiqeshim për të arritur majën, pa marrë parasysh sa shumë dhemb apo se sa kohë zgjatë”.

“Kur gjërat u bënë vërtet të vështira, unë mendoja për familjen time të mrekullueshme dhe të gjithë ata që më ndihmuan të ngjitem në mal, dhe kjo ishte ajo që më jepte shtytje për të arritur deri në majë”, shtoi ai.

Hari Budha po mbledh para për pesë organizata bamirëse të veteranëve: Team Forces, Gurkha Welfare Trust, Pilgrim Bandits, Blesma dhe On Course Foundation. /Telegrafi/