Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta ka vlerësuar me “Dekoratën e Artë të Shqiponjës” Arjan Salën (pas vdekjes), pasi u vetësakrifikua për të shpëtuar jetët e punonjësve dhe kolegëve nga zjarri në “Casa Italia”.
Kreu i Shtetit shqiptar i akordoi Arjan Salës dekoratën e lartë me motivacionin: “Në shenjë vlerësimi e respekti të thellë për heroizmin e pashoq në përmbushjen e detyrës për të shpëtuar jetën e shumë qytetarëve. Për sakrificën dhe vetëflijimin e tij sublim, me të cilat ai hyri në zemrat tona, si shembull i heroizmit dhe humanizmit”.
Në fjalën e tij me këtë rast, Meta duke iu drejtuar familjarëve dhe miqve të të ndjerit Arjan Sala, të pranishëm në ceremoninë solemne, u shpreh se ndan me ta dhimbjen për humbjen e parakohshme të të riut.
“Vetëflijimi i Arjanit na vendos të gjithëve përpara detyrimit, që të punojmë më fort për të ndërtuar një shtet më reagues, më funksional, një shtet me fytyrë më njerëzore, një shtet më social.
Arjani do të gëzojë respektin dhe mirënjohjen e përjetshme të të gjithë shqiptarëve si Hero i gjallë dhe bashkëkombës i Nënë Terezës!”, ka thënë ndër të tjera Meta në fjalimin e tij.