Telegrafi

Humbi aparatin në lumë 13 vite më parë, gruaja nga Colorado gëzohet kur mëson se atë e gjeti peshkatari

Një grua është “ribashkuar” me aparatin e saj digjital, 13-vite pasi besohej se e kishte humbur në lumin Colorado.

Coral Amayi kishte fotografi të miqve, martesa dhe nga diplomimi në aparatin digjital që përfundoi në fund të lumit Animas gjatë vitit 2010, transmeton Telegrafi.

Ajo çfarë e kishte mërzitur më shumë është fakti që nuk kishte arritur t’i shkarkoj fotografitë nga kartela SD dhe t’i transferojë në kompjuter – që do të thotë se shumë momente dhe kujtime të mira i kanë humbur.

“Më kujtohet kur u ktheva në shtëpinë e të dashurit dhe qaja pa kontroll”, tha ajo.

Megjithatë, javën e kaluar një peshkatar zbuloi diçka në lumë që në shikim të parë i është dukur e çuditshme.

Spencer Greiner nxori nga uji diçka për të cilën nuk ishte i sigurt se çfarë mund të ishte.

Pasi e kuptoi se bëhet fjalë për aparat digjital, ai postoi fotografi në profilin e tij, ku shihej aparati.

Në fund arriti të lokalizojë personin që gjendej në shumicën e fotografive, dhe kështu edhe ia bëri të ditur se aparatin që e kishte humbur 13 vite më parë, mund ta marrë.

Ajo çfarë e gëzoi më së shumti ishte fakti që kartela SD i ka shpëtuar ujit, dhe se fotografitë që gjendeshin në të nuk janë dëmtuar. /Telegrafi/