Protestat e vazhdueshme të ditëve të fundit në Maqedoni kanë kthyer vëmendjen e të gjithëve tek ajo çfarë po ndodh atje. Pavarësisht se dhuna e ditës së parë nuk u përsërit në protestat e ditëve në vazhdim, situata mbetet ende e tensionuar.
Por, cila është arsyeja e këtyre protestave, kush po i organizon dhe cilat janë pasojat?
Jam i sigurt që çdokush prej jush ka një përgjigje për pyetjet e parashtruara më sipër, por mua më bëri përshtypje një fenomen që kam vërejtur këto ditë dhe do të doja të ndalesha pak te kjo gjë. Fillimisht, nuk ka dyshim, që vendimi me burg të përjetshëm i Gjykatës Themelore të Shkupit për të akuzuarit shqiptarë të rastit “Monstra”, ishte shkëndija që nisi protestat, por është injorancë të thuash që ishte vetëm kjo.
Pavarësisht që në shikim të parë duket se protestat janë kundër shtetit maqedonas, nisur edhe nga shkaku i nisjes së protestës, pakënaqësia kryesore e protestuesve ka të bëjë direkt me politikanët dhe partitë shqiptare, të cilat përfaqësojnë vet protestuesit. Nisur edhe nga kjo, mendoj se nga këto protesta më shumë duhen të frikësohen Ahmeti dhe Thaçi sesa Gruevski. Dhe, padyshim se edhe më të dëmtuarit do të jenë pikërisht këta të dy.
Nëse shohim mënyrën se si janë organizuar protestat, dihet botërisht që rrjeti social “Facebook” ka patur rol kryesor, dhe në të shumtën e rasteve, protestat kanë qenë spontane. Më interesant është profili i pjesëmarrësve, sidomos pas ditës së parë. Shumica të rinj, ndoshta mes moshave 15-20 vjeç, dhe po t’i pyesje se për çfarë kanë dalë në protesta, janë të shumtë ata të cilët nuk ishin në gjendje të artikulonin saktë motivin e këtij rebelimi në rrugë, ndërkohë që nuk kishin frikë nga asgjë dhe ishin në gjendje edhe të vdisnin. Mllefi, zemërimi, pakënaqësia dhe zhgënjimi i madh që lexohet lehtësisht në sytë dhe fytyrat e protestuesve, është vërtetë për t’u patur frikë.
Arsyeja pse dua të ndalem te ky mllef që zien brenda te këta të rinj, të cilët nuk kanë frikë nga asgjë, nuk është për t’i kritikuar ata apo për të ulur rëndësinë e protestave apo të protestuesve. Përkundrazi, mendoj se këtu ka gjëra që duhet të analizohen mirë dhe të kërkohen zgjidhje. Për mendimin tim, jo rastësisht, në rrugë është kjo pjesë e shoqërisë, pjesa më e padjallëzuar, e pakushtëzuar nga interesa të ngushta partiake, pjesa e çiltër dhe e sinqertë.
Nëse njerëzit që sot kanë një lidhje interesi me partinë në pushtet apo me ato opozitare, kanë frikë të bëjnë një veprim që do të dëmtonte të ardhmen e tyre, kjo pjesë e shoqërisë që është sot në rrugë, ka “imunitet” nga kjo gjë. Pikërisht, kjo i ka nxjerrë në rrugë. Ata, si duket, nuk shohin një të ardhme për të cilën duhet të mendojnë shumë dhe të kenë kujdes. E kaluara e hidhur e përjetuar nga vetë ata dhe e ushqyer edhe nga kujtimet e prindërve të tyre, dhe e ardhmja që nuk dihet nëse ekziston më, ka bërë që ata të dalin aty dhe të protestojnë për diçka, që edhe vetë nuk janë të qartë se për çfarë mund të jetë ajo diçka.
Kam përshtypjen se këto reagime janë shfaqje e zhgënjimit që më shumë se këta të rinj, ka kapluar familjet dhe prindërit e tyre, të cilët në pamundësi për t’i shprehur jashtë, i akumulojnë brenda familjes, duke formuar një rini si kjo, e pashpresë për të sotmen dhe pa një pritshmëri për të ardhmen, duke përbërë në këtë mënyrë, rrezikun e vërtetë për të ardhmen e këtij vendi.
Pikërisht, janë këta të rinj që janë rritur me thëniet: “kujdes kur të shkosh në shkollë se mund të të sulmojnë” dhe edhe po të mos donin t’u besonin këtyre fjalëve të prindërve, i kanë vërtetuar vetë sapo kanë hipur autobusëve urbanë, duke u sulmuar, sharë e fyer vetëm pse janë shqiptarë.
Prandaj, vendimi për rastin “Monstra” ishte pika e fundit e ujit që bëri gotën të rrjedhë, ndërsa në shpirtrat e këtyre njerëzve ka një zhgënjim të thellë nga të gjithë, duke filluar nga shteti, gjykata, policia e mbi të gjitha, nga përfaqësimi jo i denjë politik i liderëve të tyre. Kështu që, nëse partitë politike shqiptare nuk ulen t’i rishikojnë edhe njëherë qëndrimet e tyre dhe raportin me popullin e tyre dhe rininë që përfaqësojnë, kam “frikë” se këta të rinj, para se të “rrëzojnë” Gruevskin dhe Maqedoninë e tij, do të rrëzojnë pashallarët tanë dhe salltanetet e tyre klienteliste.
(Marrë nga: Shekulli)