Banorët e fshatit Burimas në bashkinë e Maliqit kanë protestuar ditën e sotme për humbjen e prodhimit të tyre të mollës.
Fermerët janë dëmtuar nga breshëri i dy ditëve më parë që ra në pjesën më të madhe të fushës së Korçës dhe Devollit.
Vetëm në fshatin Burimas banorët deklarojnë se kanë humbur me shume se 60% të prodhimit të tyre të mollës. Ata deklaruan se prej tre vitesh gjenden para një situate të tillë dhe në asnjë rast nuk kanë patur mbështetjen e ministrisë së linjës.
“Nëse dhe këtë vit nuk do të kenë mbështetjen e qeverisë, e vetmja rrugë që u mbetet është largimi nga vendi”, deklaruan ata.
Edmond Agolli kryeplaku i fshatit Burimas tha se një ditë më parë i vetmi autoritet që ka ardhur për të verifikuar dëmin ka qenë drejtori i bujqësisë se bashkisë së Maliqit. E për kryeplakun e fshatit rruga e vetme për banorët eshte largimi nga vendi.
Banorët e fshatit Burimas ashtu si një pjesë e mirë e fushës së Devollit kulturën bazë kanë mollët. Vetëm në këtë fshat janë dyqind e dhjetë hektarë mollë të mbjella me varietete të ndryshme. /Telegrafi/