Telegrafi

Humbën mes maleve të Tropojës, policia gjen turistët belgë

Dy turistë nga Belgjika, një djalë i moshës 25 vjeç dhe një vajzë 26 vjeçe duke eksploruar natyrën në zonën e Lekbibajt në Tropojë kanë humbur rrugën në një zonë të thellë.

Duke u munduar për të dalë nga terreni i vështirë, 25-vjeçari është dëmtuar në këmbë.

Turistët kanë njoftuar policinë dhe kanë kërkuar ndihmë, pasi 25-vjeçari nuk ecte dot për shkak të dëmtimeve që kishte marrë në këmbë.

Menjëherë kanë nisur kërkimet nga shërbimet e komisariatit të policisë Tropojë dhe pas disa orë kërkimesh është bërë e mundur gjetja e dy turistëve, në vendin e quajtur “Stakaj”.

Turistët janë transportuar me ambulancë në spitalin e Tropojës dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.