Familja e Roland dhe Lidio Hoxhës, që humbën jetën në shpërthimin tragjik në një magazinë në Lushnjë, do të marrë ndihmë financiare.
Këshilli bashkiak i Lushnjës miratoi ndihmën e menjëhershme për familjen e viktimave.
Shuma ishte parashikuar 300,000 lekë, por nga anëtarët e këshillit u propozua që kjo vlerë të arrinte në 500,000 lekë [4,800 euro]. Fondi është parashikuar për shpenzimet e varrimit.
Kryetarja e bashkisë Lushnjë, Eriselda Sefa, u shpreh se është ngritur dhe një grup pune për evidentimin e të gjitha dëmeve që shkaktoi ky shpërthim në banesa dhe biznese.
Ndërsa kryetari i opozitës në këshill, Kelment Çela, në një deklaratë pas mbledhjes, kërkoi që kjo ngjarje të zbardhet plotësisht dhe të gjenden shkaqet se pse ndodhi shpërthimi.
Roland Hoxha dhe i biri, Lidio, ishin duke punuar me vinç në një kapanon poshtë linjës së tensionit të lartë, ku gjatë një shpërthimi që dyshohet se ndodhi nga shkëputja e një bombole oksigjeni gjatë procesit të punës, humbën të dy jetën. /Telegrafi/