Telegrafi

Humb 80-vjeçari nga Prishtina, familja kërkon ndihmë nga qytetarët për ta gjetur

Enver Bërkolli, 80 vjeçar nga Prishtina, sipas familjarëve të tij ka humbur dhe nga pasditja e së hënës nuk dinë asgjë për fatin e tij.

Djali i tij, Sherafedin Bërkolli ka thënë për Telegrafin se rastin tashmë e kanë lajmëruar në polici.

“Baba ka dal dje prej shtëpisë, diku rreth orës katër pasdite dhe më nuk e dimë as ku ka shkuar, e asgjë për të. Fotografinë e kemi publiku për të na ndihmuar dikush që e ka parë ose e sheh dhe numrat të na thërrasin. E kemi lajmëruar rastin edhe në polici, ata presin të bëhen 24 orë që ta shpallin të humbur”, tha Bërkolli në një prononcim për Telegrafin.

Bërkolli ka lutur të gjithë qytetarët që nëse e shohin, të telefonojnë në numrat e telefonit të cilët i kanë bërë publik, teksa thotë se po presin edhe ndihmën e Policisë së Kosovës për të filluar kërkimin.

Sipas tij, babai i tij nuk vuan nga ndonjë sëmundje, ndërkaq tha se herë pas herë ka dalur për shëtitje në parkun e Tokbashqes, por që asnjëherë më parë nuk ka ndodhur që ai të vonohet shumë apo të mos kthehet për kohë të gjatë në shtëpi. /Telegrafi/