Aktori veteran, Orson Bean, e ka humbur jetën tragjikisht gjatë dy aksidenteve të njëpasnjëshme në Venice të Los Angelesit.
91-vjeçari është përplasur nga një veturë derisa po e kalonte rrugën përballë ‘Pacific Resident Theatre’ dhe është rrëzuar. Më pas e ka goditur një automjet tjetër dhe autoritetet kanë thënë se kjo ka qenë goditja fatale. Ai ka lënë pas gruan dhe katër fëmijë.
Bean po e kalonte rrugën për të shkuar në teatër, ku punonte gruaja e tij, Alley Mills – ka thënë një mik i tij për ABC7.
Mjeku ligjor i qarkut të Los Angelesit e ka konfirmuar vdekjen e aktorit të premten mbrëma, ndërsa ka thënë se është duke u hetuar si fatalitet i lidhur me komunikacionin.
Orson ka luajtur në seriale të njohura televizive, si “To Tell the Truth” e “Dr. Quinn, Medicine Woman”, në filmat e suksesshëm “Anatomy of a Murder” e “Being John Malkovich”, si edhe në shfaqje të Broadway, ku ishte i nominuar për çmimin Tony për rolin e tij në mjuziklin “Subways Are for Sleeping”. /Telegrafi/