Një turiste kroate ka humbur jetën në vendin e quajtur “Maja e Jezerces” në Shqipëri.
Policia njofton se salla Operative e Komisariatit të Policisë Tropojë ka marrë njoftim nga një grup aplinistësh, që mendohet të jenë shtetas kroatë, të cilët janë ngjitur nga territori i Malit të Zi, për të mbërritur në vendin e quajtur “Maja e Jezerces”, se njëra nga anëtaret e grupit kishte rënë nga një terren i thepisur malor dhe me borë.
“Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Tropojë, së bashku me ekipin mjekësor të spitalit të Tropojës dhe ekipin e kërkim-shpëtimit, janë nisur bashkë me helikopterin e Emergjencave Civile, drejt adresës së dhënë”, thuhet në njoftim.
Tutje, policia thotë se pas disa orësh kërkime nga shërbimet e Policisë, turistët u lokalizuan në vendin e quajtur “Maja e Jezerces”.
“Turistja kroate, shtetasja Z. L., 43 vjeçe, për shkak të terrenit të thepisur malor, ka rrëshkitur nga një lartësi dhe për pasojë kishte humbur jetën”, vijon njoftimi.
Tutje, policia thotë se nga ekipi i kërkim-shpëtimit është bërë e mundur nxjerrja e trupit të pajetë dhe do transportohet me helikopter, drejt morgut.
Vijon operacioni i shpëtimit, mbështetur nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes, për të bërë të mundur nxjerrjen e turistëve të tjerë, nga vendi ku janë bllokuar./Telegrafi/