Telegrafi

Humb jetën një punëtor në stadiumin e Lorient, u godit nga një strukturë ndriçuese

(Foto: Screenshot/Telefoot)

Një punëtor vullnetar e ka humbur jetën në stadiumin e FC Lorient, kur pas ndeshjes së të dielës ndaj Rennes, ishte goditur nga një strukturë mbajtëse e reflektorëve.

38-vjeçari ishte në gjendje kritike pas goditjes nga struktura ndriçuese, ndërkohë që po i kryente obligimet pas takimit.

Të hënën është bërë e ditur (transmetuar nga Telefoot dhe Canal+) se punëtori, i cili ishte baba i tre fëmijëve, ka ndërruar jetë nga lëndimet.

(Foto: France24.news)

Aksidenti tragjik ka ndodhur të dielën rreth orës 19:00, pak kohë pasi Lorient fitoi me rezultat 3-0 kundër Rennes.

Pasi u godit nga struktura e reflektorit, mjekët intervenuan menjëherë për t’ia dhënë ndihmën e parë dhe ai u dërgua me urgjencë në spitalin më të afërt, ku edhe ka ndërruar jetë. /Telegrafi/