Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Kurbin, ku një 61-vjeçar ka humbur jetën pasi është rrëzuar nga një lartësi gjatë kohës që po punonte.
Policia ka shpallur në kërkim dy vëllezërit, pronarë të firmës dhe drejtuesin teknik për veprat penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.
“Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Kurbin referuan materialet në Prokurori dhe bënë shpalljen në kërkim të shtetasve: K. Ll., 53 vjeç, dhe M. Ll., 59 vjeç, banues në Fush- Mamurras, Kurbin, (vëllezër) dhe të shtetasit I.Xh, 58 vjeç,(drejtues teknik) për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.
Shpallja në kërkim e këtyre shtetasve u bë pasi në lavatriçen e zhavorrit në Skuraj, Kurbin në pronësi të dy vëllezërve, shtetasi F. H., 61 vjeç, banues në Milot, Kurbin, ditën e djeshme gjatë punës është rrëzuar nga një lartësi dhe është dërguar për ndihmë mjekësore në Spital, ku ka humbur jetën në orët e vona të mbrëmjes së djeshme”, thuhet në njoftimin e policisë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme./tch/