Telegrafi

Humb betejën me COVID-19 kantautori i njohur shqiptar Kujtim Prodani

Ka ndërruar jetë gjatë ditës së martë kantautori i njohur shqiptar, Kujtim Prodani.

Muzikanti tashmë i ndjerë ishte 57 vjeç.

Ai ishte i infektuar me COVID-19, ku si pasojë e rëndimit të gjendjes shëndetësore, nuk ka mundur t’i bëjë ballë virusit global.

Mediat në Shqipëri raportojnë se ai ishte shtruar në Spitalin “Shefqet Ndroqi” në Tiranë, ku po trajtohej me oksigjenoterapi.

Vet Pordani në fund të vitit që lamë pas u drejtua me një shkrim prekës në rrjetet sociale, për virusin famëkeq që tashmë ka marrë jetën e miliona njerëzve në mbarë botën.

“Sa miq e sa të afërm na more, o flamë e keqe!”, kishte shkruar mjeshtri i madh i muzikës.

Kujtim Prodani përndryshe është autor i 57 teksteve këngësh, i njohur kryesisht për këngët “Ngjyrat e moshës” (1990), “Babela” (2011) dhe “Unë e dua erën” (1991). /Telegrafi/