Civilë po vriten në vend, teksa betejës për Aleppon po i vjen fundi. Raportohet për civilë të vrarë dhe të bllokuar në ndërtesa në kohën kur forcat e Bashar al-Assadit po e marrin qytetin më të madh të Sirisë.
Forcat pro-qeveritare po ekzekutojnë civilët, përfshirë gratë e fëmijët. Në disa raste, forcat luajale ndaj Assadit po futen brenda shtëpive duke ekzekutuar ata që gjejnë brenda.
Frika është shtuar pasi mijëra civilë dhe kryengritës kanë mbetur në lokacionet e fundit që kanë nën kontroll në lindje të Aleppos, transmeton Telegrafi.
Ushtria siriane ka thënë se në çdo moment do të marrë kontrollin në tërë qytetin.
Momentalisht janë 80 mijë civilë të bllokuar në disa kilometra katrorë.
Dëshmitarët përshkruajnë trupa të vdekur në rrugë.
“Ose do të kapemi, ose do të vritemi”, ka thënë Ibrahim Abu al-Laith, zëdhënës i shërbimit për shpëtim, Helmetat e Bardha.
Jan Egeland, këshilltar i OKB-së për Sirinë ka thënë se 24 orët e fundit kanë qenë më të përgjakshme në betejën për qytetin.
“E di se do të vdes nëse kapem nga ky regjim kriminal, por dua që bota të di se çfarë po ndodhë këtu”, ka thënë arkitektja dhe aktivistja Lina al-Shami. “Po ballafaqohemi me gjenocid. Njerëzit janë të plagosur në rrugë e askush nuk mund t’ju ndihmojë”.
Qytetarë dhe aktivistë po dërgojnë mesazhet e fundit në rrjetet sociale.
“Mos besoni në OKB… mos besoni në bashkësinë ndërkombëtare. Ata janë të kënaqur që po vritemi e se me çfarë po ballafaqohemi… masakrën më të tmerrshme në historinë e re”, ka thënë Abdulkafi al-Hamdo.
Gjithë këto të zeza po bëhen me ndihmën e Rusisë, që është aleati kryesor i regjimit të Assadit.
Ndërkohë, pas ndërprerjes së luftimeve në Aleppo, pas marrëveshjes për evakuim, Turqia njoftoi sonte se do të ngrejë një qytet me tenda për të pritur deri në 80 mijë refugjatë sirianë.
“Do të intensifikojmë bisedimet me Rusinë për të gjetur zgjidhje për tragjedinë humanitare”, ka thënë ministri i Jashtëm turk, Mevlut Cavusoglu.
OKB vlerëson se së paku 400 mijë njerëz janë vrarë që nga nisja e luftimeve në Siri, në mars të vitit 2011, ndërsa gjysma e popullatës është zhvendosur. /Telegrafi/